Në Shqipëri nuk mjafton më të kesh një leje ndërtimi të rregullt, të miratuar sipas ligjit dhe të investosh miliona lekë mbi bazën e afateve të përcaktuara nga vetë shteti.
Një vendim i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë, ka ndryshuar “rregullat e lojës”.
VKM-ja nr. 618, datë 30 korrik 2026, pezullon punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike deri më 15 shtator, me argumentin e mbrojtjes së sezonit turistik.
Qëllimi duket parimisht i arsyeshëm. Askush nuk dëshiron pushime mes ekskavatorëve, pluhurit dhe zhurmës.
Por si mbeshtetet nё ligj ky vendim?
Sa lexon bazёn ligjore pikëpyetjet ngrenё “alarm”. Vendimi mbështetet në nenin 30/1 të ligjit “Për Turizmin”. Megjithatë, ligji 93/2015 nuk përmban një nen 30/1.
Neni 30 flet për planin e zhvillimit të zonave me përparësi për turizmin dhe nuk lejon dhe as autorizon Këshillin e Ministrave të nxjerrë ndonje akt me këtë përmbajtje.
Por edhe nëse lihet mënjanë pikepyetja juridike, problemi më i madh është vetë përmbajtja e vendimit.
Në një shtet të së drejtës, kufizimet ndaj aktivitetit ekonomik duhet të jenë të qarta, të sakta dhe të parashikueshme. Qytetari apo biznesmeni duhet ta dijë paraprakisht nëse mund të punojë apo jo, ku mund të punojë, deri ku shtrihet kufizimi dhe kush e vendos atë.
VKM-ja 618 bën ekzaktёsisht të kundërtën.
Ajo nuk mjaftohet me zonat turistike të përcaktuara në mënyrë objektive. Përkundrazi, shton edhe një kategori të re qe quhet “territore të tjera”, ku regjistrohet fluks i lartë turistësh ose zhvillohen aktivitete turistike, të cilat do të përcaktohen më vonë me urdhër të dy ministrave.
Pra, askush nuk e di sot me siguri se cilat janë të gjitha zonat ku ndalohen punimet!
Sipas VKM-sё, pezullimi do zbatohet edhe për aktivitete që zhvillohen jashtë zonave turistike, nëse ato “mund të ndikojnë” në aktivitetin turistik duke shkaktuar zhurmë, pluhur ose efekte të ngjashme.
Shprehja “mund të ndikojnë” është padyshim shumё e rrezikshme kur futet nё një akt qё qeveria e nxjerr me qёllim tё mirё por nё tё vёrtetё ёshtё njё “kamzhik” fshikullues nё dorёn e zejmenёve tё saj.
Kush do ta vlerësoje “mundësine e ndikimit”?
Me çfarë kriteresh?
Sa metra larg duhet të jetë kantieri?
Sa zhurmë do konsiderohet e tepërt?
Sa pluhur është i lejueshëm?
Vendimi i qeverisё nuk jep asnjë përgjigje pёr kёto pyetje qё mund t’i bёjё ҫdo qytetar qё do ndodhet pёrballё “Policisё sё Turizmit”, e cila do vijё me “kamzhik” dhe bllok nё dorё.
Gjithçka do mbetet në dorën e kёsaj lloj policie, pra tё inspektorëve, bashkive, IKMT-së dhe strukturave monitoruese që do ta interpretojnë rast pas rasti.
Dy “shkelёs” tё VKM-sё që kryejnë të njëjtin aktivitet mund të trajtohen krejt ndryshe vetëm sepse interpretohen jo njёlloj nga dy inspektorë, ashtu si “inspektorёt” e Vettingut qё shkarkonin njё gjyqtar ose “shpёtonin” me bindje tё ndryshme pёr tё njёjtin “ballkon”.
Shkelësit e VKM-së, do të jenë viktima të të njëjtit vlerësim, ku njëri mund të vazhdojë punimet, tjetri të gjobitet. Njëri mund të konsiderohet se nuk ndikon në mirëqenien e turizmit, ndërsa tjetri “mund të ndikojë”.
VKM-ja nuk vendos asnjë kufi, por ia la në dëshirë “Policisë së Turizmit” vendimin për të qenë e drejtë ose ashtu si ndodh në të shumtën e herëve në Shqipëri.
Në emër të “Turizmit”
Kjo VKM nuk mbron turistët. Ata do të ishin të mbrojtur me marrjen e masave “pranverore” të shtetit qendror dhe atij bregdetar, para se të fillonte vera turistike.
Turizmi nuk mbrohet duke ndaluar “matrapikët” në gusht, qershor ose korrik, por duke i disiplinuar ata në muajt para turizmit veror.
VKM-ja tashmë do të jetë një pasiguri e re për shumë sipërmarrës, kompani ndërtimi, nënkontraktorë dhe punëtorë që nga dita e djeshme duhet të kuptojnë vetë nëse lejohen apo jo të punojnë. Ajo nuk do t’u prishë punë oligarkëve të ndërtimit.
Ata do të jenë të qetë, sepse e dinë që ligji interpretohet gjithnjë në favor të tyre, brenda hapësirave që qëllimisht lë kjo VKM.
Ndaj nga dje, një “Polic” i ri do të dalë në terren, që në varësi të derës së kantierit ku troket do të bëjë “policin e mirë apo të keq”.
Biznesi dhe qytetari do të ketë në shpinë një tjetër VKM dhe autoritet shtetëror, që nuk do “dëgjojë” ligjin, por veshin e tij muzikor. Sipas tij, do të gjobisë ose jo, “Policia e Turizmit”.

© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





