Fëmijët mësojnë gjuhë të huaja, merren me sport, muzikë dhe synojnë rezultate të larta akademike, por shumë prej tyre arrijnë në universitet pa ditur të gatuajnë një vakt të thjeshtë, të lajnë rrobat apo të pastrojnë shtëpinë.
Ky është shqetësimi që ngrihet në një debat të publikuar nga “The Guardian” mbi një paradoks të prindërimit modern, veçanërisht në familjet e shtresës së mesme: investohet shumë te arritjet e fëmijëve, por më pak te aftësitë bazë që u duhen për të jetuar të pavarur.
Melissa Scallan, autore e një libri për përgatitjen e të rinjve për universitetin, tregon se gjatë takimeve me nxënësit e shkollave të mesme ndeshet vazhdimisht me të njëjtin shqetësim. Përveç frikës nëse do të krijojnë miq apo nëse do t’ia dalin me studimet, të rinjtë pyesin se si do të kujdesen vetë për jetën e përditshme.
Shumë prej tyre nuk kanë bërë asnjëherë vetëm pazarin e plotë të javës, nuk kanë përgatitur një vakt nga e para, nuk kanë larë dyshemenë e kuzhinës dhe as kanë hekurosur një këmishë.
Sipas autores, problemi nuk është se prindërit nuk kujdesen mjaftueshëm për fëmijët. Përkundrazi, mund të jetë pikërisht mënyra se si është organizuar kujdesi modern. Orët e fëmijëve mbushen me shkollë, kurse, sport, muzikë dhe aktivitete të tjera, ndërsa punët e zakonshme të shtëpisë kryhen nga të rriturit për t’u lënë atyre më shumë kohë për t’u zhvilluar.
Rezultati mund të shihet vetëm kur fëmija largohet nga shtëpia: një i ri i përgatitur akademikisht, por që përballet për herë të parë me pyetje elementare – çfarë të blejë për të ngrënë, si të gatuajë, si të lajë çarçafët, si të pastrojë një tualet apo si të organizojë një shtëpi.
Një tjetër nënë, Pippa Keech, sjell edhe një episod domethënës. Vetëm pesë minuta pasi kishte lënë djalin e saj në konviktin universitar në Birmingham, mori një mesazh në WhatsApp: ai kishte prerë dorën me thikë ndërsa hapte ambalazhin dhe kërkonte këshilla se çfarë të bënte. Para se prindërit të arrinin të ktheheshin, shokët e rinj të apartamentit ia kishin fashuar dorën.
Pavarësia nuk mësohet një javë përpara universitetit. Gatimi, larja e rrobave, pastrimi, administrimi i blerjeve dhe kujdesi për veten janë aftësi që duhen mësuar gradualisht gjatë rritjes.
Një fëmijë mund të jetë shumë i përgatitur për provimin e radhës, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është po aq i përgatitur për jetën.
Burimi: The Guardian





