Mënyra se si njerëzit zgjedhin të bëjnë pushime ndryshon ndjeshëm nga një brez te tjetri. Për disa, pushimet janë një arratisje e madhe një herë në vit, ndërsa për të tjerë janë pjesë e stilit të jetesës dhe një mundësi për të krijuar përvoja të reja sa herë që u jepet rasti.
Sipas analizave të fundit mbi sjelljen e konsumatorëve, Gen Z, Millennials, Gen X dhe Baby Boomers kanë prioritete krejt të ndryshme kur bëhet fjalë për udhëtimet.
Për Gen Z, pushimet nuk janë më një ngjarje e veçantë që pritet gjatë gjithë vitit. Të rinjtë e këtij brezi preferojnë udhëtime më të shkurtra, por më të shpeshta, duke investuar në përvoja dhe kujtime në vend të pasurive materiale. Ata janë më të prirur të organizojnë fundjava spontane ose mini-udhëtime dhe shpesh zgjedhin destinacionet që shohin në rrjetet sociale.
Edhe Millennials i japin shumë rëndësi balancës mes punës dhe jetës personale. Ata nuk hezitojnë të marrin disa ditë pushim gjatë vitit për të udhëtuar me miqtë ose për të eksploruar vende të reja. Shpesh i planifikojnë pushimet duke kërkuar eksperienca unike, akomodime interesante ose aktivitete që lidhen me mirëqenien fizike dhe mendore. Madje, shumë prej tyre zgjasin edhe udhëtimet e punës për t’i kthyer në mini-pushime.
Ndryshe mendojnë Gen X, për të cilët pushimet mbeten një moment i rëndësishëm familjar. Ata zakonisht organizojnë një udhëtim të madh në vit, investojnë më shumë në rehati dhe siguri dhe preferojnë destinacione të provuara, ku mund të pushojnë pa stres. Për këtë brez, pushimet janë një shkëputje e plotë nga puna dhe përgjegjësitë e përditshme.
Ndërsa Baby Boomers i shohin pushimet si një shpërblim të merituar pas viteve të punës. Ata preferojnë destinacione të ngrohta, resorte “all inclusive” ose kroçera, me ritëm të qetë dhe kohë cilësore me familjen. Ndryshe nga brezat më të rinj, ata mbështeten më shumë te agjencitë turistike sesa te rrjetet sociale për të organizuar udhëtimet dhe rrallë marrin pushime spontane gjatë vitit.
Pavarësisht ndryshimeve, një gjë mbetet e përbashkët për të gjithë: pushimet vazhdojnë të jenë një mënyrë për t’u shkëputur nga rutina. Thjesht, çdo brez ka mënyrën e vet se si e përkufizon arratisjen ideale.






