Netët e nxehta janë ndër arsyet kryesore pse shumë njerëz kanë vështirësi për të fjetur gjatë verës. Sipas ekspertëve të gjumit, temperaturat e larta jo vetëm e bëjnë më të vështirë rënien në gjumë, por ulin edhe cilësinë e tij, duke reduktuar fazën e gjumit të thellë, e cila është thelbësore për rikuperimin e organizmit.
Specialistët rekomandojnë që temperatura ideale në dhomën e gjumit të jetë mes 16 dhe 18 gradë Celsius. Kur temperatura kalon 24 gradë, gjumi bëhet më i shqetësuar dhe zgjimet gjatë natës janë më të shpeshta.
Një nga këshillat më të rëndësishme është përdorimi i çarçafëve dhe jastëkëve prej materialesh natyrale, si liri ose pambuku, të cilët lejojnë qarkullimin e ajrit dhe nuk mbajnë nxehtësinë. Edhe dyshekët me fibra natyrale ndihmojnë në ruajtjen e një temperature më të freskët gjatë natës.
Përpara gjumit rekomandohet një dush me ujë të vakët, pasi ai ndihmon trupin të ulë temperaturën në mënyrë graduale. Ndryshe nga sa mendohet, uji shumë i ftohtë nuk është gjithmonë zgjedhja më e mirë, pasi mund ta detyrojë organizmin të prodhojë më shumë nxehtësi.
Një truk i thjeshtë është vendosja e këllëfit të jastëkut ose e pizhamave në frigorifer për rreth 15-20 minuta para se të flini. Edhe pse efekti zgjat pak, ai e bën më të lehtë rënien në gjumë.
Ventilatorët mbeten një nga zgjidhjet më praktike për të freskuar ambientin. Nëse është e mundur, zgjidhni modele të qeta, në mënyrë që zhurma të mos ndikojë në cilësinë e gjumit.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu të mbani gjithmonë pranë shtratit një shishe me ujë të ftohtë për të shmangur dehidratimin, i cili është shumë i zakonshëm gjatë netëve të nxehta.
Një tjetër rekomandim është të mbani perdet ose grilat të mbyllura gjatë ditës, në mënyrë që dhoma të mos ngrohet nga rrezet e diellit, si dhe të përdorni maskë për sytë nëse drita e mëngjesit ju zgjon herët.
Ndërkohë, mjekët paralajmërojnë të shmanget konsumimi i alkoolit para gjumit. Edhe pse mund të krijojë ndjesinë se ju ndihmon të flini më shpejt, ai prish ciklin normal të gjumit dhe rrit mundësinë e zgjimeve gjatë natës.
Sipas specialistëve, edhe në netët më të nxehta trupi arrin të flejë, por krijimi i kushteve sa më të freskëta dhe ruajtja e hidratimit mund të bëjnë një ndryshim të madh në cilësinë e pushimit.








