Pas gjashtё vitesh në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, papritur e pakujtuar ka vendosur të zbatojë një detyrim të herët ligjor: emërimin e Zëvendësinspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Elena Pelushi (Bakallbashi) është emëruar në këtë detyrë për një mandat 2-vjeçar, pas propozimit nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve dhe vendimit përfundimtar të vetë Metanit. Një procedurë që, sipas ligjit, duhet të ishte kryer… brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij në detyrë.

Por nuk ndodhi!
Neni 205 i ligjit për organet e vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë është i qartë: Zëvendësinspektori emërohet brenda 30 ditëve nga zgjedhja e Inspektorit të Lartë. Metani u zgjodh në vitin 2020. Vendimi për emërimin e zëvendëses vjen në vitin 2026, pa asnjë shpjegim publik për këtë vonesë. Pa asnjë reflektim institucional për moszbatimin e një detyrimi ligjor kaq bazik, dhe mbi të gjitha, pa asnjë përgjegjësi.
Për thuajse gjashtё vite me radhë, ILD funksionoi pa një zëvendësinspektor, një rol që ligji e parashikon pikërisht për të garantuar vazhdimësinë dhe funksionalitetin e institucionit. Një boshllëk që nuk duket se ka shqetësuar askënd… deri tani.
Po pse tani?
Elena Pelushi (Bakallbashi) nuk është një emër që ka spikatur në publik për ndonjë çështje të bujshme. Ajo ka një karrierë të gjatë si prokurore në Durrës deri në vitin 2021, më pas e komanduar pranë ILD-sё si inspektore magjistrate.
Edhe pas komandimit nё ILD, emri i saj nuk është lidhur me ndonjë hetim apo inspektim që të ketë tërhequr vëmendjen publike. Ashtu si vetë institucioni ku ajo shërben.
ILD, nën drejtimin e Metanit, është perceptuar shpesh si një institucion i fjetur, në një kohë kur sistemi i drejtësisë ka qenë nën trysni të vazhdueshme për integritet dhe llogaridhënie.
Dhe pikërisht në këtë klimë, pas një periudhe të gjatë inercie, vendoset papritur të plotësohet një funksion që duhej të ishte plotësuar që në fillim të mandatit.
Elena Pelushi ndodhet në ILD që prej vitit 2021. Prej pesë vitesh është brenda institucionit, pjesë e tij, e njohur për Metanin dhe strukturat. Nuk është një emër i ri, nuk është një zbulim i momentit. Ka qenë aty gjatë gjithë kësaj kohe.
Çfarë ndryshoi sot që nuk ekzistonte dje?
Nëse detyrimi ligjor u injorua për vite me radhë, pse vendoset të zbatohet pikërisht tani, në një moment kur mandati i Metanit po hyn në 3 vjeҫarin e fundit të tij?
A është ky thjesht një korrigjim i vonuar formal, apo një lëvizje për të lënë pas një strukturë të konsoliduar, një zëvendës të caktuar, qё tё shoqёrojё kryetarin e ri edhe pasi Metani tё ketё ikur?
Sepse koha e këtij vendimi flet po aq sa vetë vendimi!
Në një institucion që për vite është perceptuar si i “pёrgjumur”, çdo veprim i papritur ngjan më shumë si kalkulim, sesa si reflektim.
Ose ndoshta nuk është rastësi që zgjedhja bie mbi një figurë që vjen nga një familje me rrënjë të forta besimi fetar. Me një vëlla prift.
Në një institucion ku për vite me radhë ligji është anashkaluar dhe qytetarët janë përplasur dyerve të drejtësisë pa gjetur përgjigje, ndoshta “Kryegjumashi” i ILD mund tё jetё duke bёrё pёrpjekje për të kërkuar falje për “mëkatet” e mosveprimit, që shpirti t`i gjejë sadopak qetësi pas gjashtë viteve heshtjeje dhe gjumi letargjik, ndërsa jashtë ulёrinin zërat e përvuajtur të qytetarëve që kërkonin drejtësi dhe nuk e gjenin askund.







