Ndërkohë që të kuptuarit se çfarë duan gratë nga një orë dore mund të duket më pak filozofike sesa t`i pyesësh se çfarë duan ato nga jeta ose dashuria, çdo njohës i industrisë së orëve do t’ju thotë tё kundёrtёn, se përgjigjja do ishte pothuajse aq komplekse.
Ekspozita e kësaj jave e Watches & Wonders në Gjenevë e vërtetoi kete. Ka gjithfarёlloje “ideologjish” dhe kontradiktash nё pёrzgjedhjen e orёve në vitin 2026.
Trendi me copa të vogla dhe tërheqëse që duken perfekte për veshje festive – të shoqёruara me kuadrata më të vogla dhe byzylykë me rripa – ёshtё inovacioni i fundit unisex, projektuar me metoda ultra-inxhinierike, e qё sfidon markat e mëdha që historikisht kanë përqendruar vëmendjen te orët për meshkuj.
Vitet e fundit, industria e orёve është detyruar të rishqyrtojë në mënyrë dramatike mënyrën se si ajo u qaset grave.
Ja zgjedhjet mё kryesore tё panairit 2026
Ora super e hollë dhe minimaliste – Bulgari, Octo Finissimo 37

Kur Bulgari prezantoi për herë të parë orën e saj futuriste Octo Finissimo në vitin 2014, koleksionistët dhe njohësit e industrisë mbetën të mahnitur nga mekanika e saj e fuqishme dhe silueta ultra e hollë. Me një kasë prej vetëm 5 mm trashësi dhe një mekanizëm prej vetëm 1.95 mm, kjo ishte një orë që sfidonte çdo standard të mëparshëm të inxhinierisë dhe imagjinatës. Megjithatë, diametri prej 40 mm konsiderohej relativisht i madh për shumicën e kyçeve të grave.
Tani, për vitin 2026, maison ka prezantuar “motren” e saj më të vogël — Octo Finissimo 37 — me një diametër perfekt prej 37 mm, ideal për një kyç më të hollë. Duke ruajtur të njëjtat forma arkitektonike, kënde dhe linja që pasqyrojnë qytetin e Romës, ky version i ri fuqizohet nga një mekanizëm automatik i ri, i reduktuar me 20% në volum për t’iu përshtatur madhësisë së re të kasës. E lehtë si pendë, e prodhuar në titan ose ar të verdhë 18-karatësh, me rezervë energjie prej tre ditësh, kjo është një orë e hollë, por e sofistikuar — për gruan që dëshiron një stil që flet vetë, pa u imponuar.
Ora festive me lëvizje dhe shkëlqim- Cartier, Baignoire

Cartier i dha një transformim të madh orës Baignoire në vitin 2023 dhe, pavarësisht prezantimit përkrah krijimeve teknike shumë avangarde, kjo orë e vogël elegante rrëmbeu vëmendjen e atij viti. Që atëherë, stilistë, influencues dhe figura të njohura janë joshur nga silueta e saj e thjeshtë dhe koncepti i saj si byzylyk që tregon kohën.
Për vitin 2026, ajo vjen me një pamje të re — këtë herë më e guximshme, me detaje moderne dhe elegante — ku një nga versionet është realizuar me diamante të vendosura në mënyrë të përmbysur. Suksesi i Baignoire tregon qartë një segment të tregut që kërkon një dizajn luksoz, të frymëzuar nga bizhuteritë, që mund të kombinohet lehtësisht me byzylykë të tjerë, pa humbur funksionin e saj si orë. Risitë e këtij viti tregojnë se trendi i “kyçit të mbushur” vazhdon fuqishëm, me shumë marka që ofrojnë dizajne në formë byzylyku apo zinxhiri.
Ora luksoze për romantikët – Van Cleef & Arpels, Heure d’Ici & Heure d’Ailleurs

Shumica e grave që zotërojnë një orë të kësaj marke do të përmendnin menjëherë elementët magjikë që zbukurojnë fushёn — balerina, zanë, motive natyre. Por modeli i ri Heure d’Ici & Heure d’Ailleurs është më minimalist, pa humbur aspak elegancën.
Me një çmim prej 48,000 dollarësh dhe një diametër perfekt prej 38 mm, ora ka një fushё me smalt në nuancë konjaku, që të kujton ngjyrën ikonike Rouge Noir të Chanel — një detaj që pritet të bëhet po aq i dëshirueshëm. Kjo orë me dy zona kohore lejon të shohësh njëkohësisht kohën lokale dhe atë të një personi të dashur, ndërsa shkrimi delikat në frëngjisht përkthehet si: “ora këtu dhe ora diku tjetër”.
Ora që ngjall zili me të gjelbrën e saj – Rolex, Oyster Perpetual Day-Date 40

Rolex nuk ka prezantuar vetëm një version të ri të një prej modeleve të saj më ikonike për vitin 2026, por edhe një aliazh të ri ari të çmuar. I quajtur Jubilee Gold, ky material është zhvilluar në laboratorët zviceranë të markës dhe vjen në kuadër të 100-vjetorit të modelit revolucionar Oyster.
Ky interpretim i ri i arit të verdhë është më i butë në ton, me nënnuanca gri dhe rozë të lehtë. Oyster Perpetual Day-Date 40, me çmim 62,700 dollarë, është modeli i parë që përdor këtë nuancë të re, i kombinuar me një fushё jeshile pranverore që tërheq menjëherë vëmendjen, i plotësuar me diamante të prerjes baguette. Nëse keni qenë ndonjëherë në dilemë mes arit rozë dhe atij të verdhë, tani përgjigjja është e qartë — Jubilee Gold i bashkon të dyja.
Ora me shpirtin e Nju Jorkut – MARLI New York, MARLI Timepieces L35

Edhe pse u prezantua jashtë panairit kryesor, kjo orë arriti të tërhiqte vëmendje të madhe në Gjenevë. MARLI New York hyri për herë të parë në botën e orëve pas një pune pesëvjeçare, duke sjellë një koleksion të frymëzuar nga tema “Lëvizja dhe Matja”.
Çdo dizajn pasqyron energjinë e pandalshme të Nju Jorkut, të balancuar me precizionin dhe qetësinë e orëndreqësve zviceranё. Të prodhuara në Zvicër dhe të pajisura me mekanizëm automatik, këto orë (me çmime nga 9,000 deri në 28,600 dollarë) dallohen për fushёn e tyre unike, që përfshin motivin karakteristik piramidal të markës. Me përpunim të kujdesshëm të perlatës në pesë akse të ndryshme, çdo fushё krijon një efekt të ndritshëm dhe dinamik, duke theksuar shkëlqimin e kasës prej ari rozë 18-karatësh ose titani, me ose pa diamante.
Ky ishte surpriza e panairit — një konkurrent i papritur që krijoi shumë interes mes ekspertëve të industrisë.
(Burimi: CNN)





