Një incident i rëndë sigurie ka tronditur Uashingtonin, pasi të shtëna me armë zjarri u raportuan në hotelin ku po zhvillohej darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke detyruar evakuimin e menjëhershëm të presidentit Donald Trump.
Sipas deklaratës së presidentit, një person i armatosur me disa armë tentoi të kalonte një pikë kontrolli sigurie në hotelin Washington Hilton, përpara se të neutralizohej dhe të vihej në pranga nga forcat e sigurisë.
Trump konfirmoi se një agjent i Shёrbimeve Sekrete u qëllua gjatë incidentit, por u shpëtua falë jelekut antiplumb. Presidenti dhe bashkëshortja e tij u shoqëruan menjëherë jashtë sallës nga agjentët e sigurisë, ndërsa qindra të pranishëm u shtrinë nën tavolina në panik.

“Fillimisht mendova se ishte një zhurmë e zakonshme, si një tabaka që bie,” tha Trump, duke shtuar se situata u përshkallëzua brenda sekondave.
Autori i dyshuar, i identifikuar nga burime të rendit si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, është arrestuar. Sipas autoriteteve, ai përballet me akuza për përdorim arme në një krim të dhunshëm dhe sulm ndaj një zyrtari federal, ndërsa pritet të dalë para gjykatës ditën e hënë.
Hetimet po drejtohen nga FBI, qё po shqyrton motivet e sulmit. Sipas Trump, autori besohet të ketë vepruar i vetëm, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë.
Në momentin e incidentit, në sallë ndodheshin figura të larta të administratës amerikane, përfshirë zёvendёspresidentin dhe anëtarë të kabinetit. Shtëpia e Bardhë konfirmoi më vonë se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja ka rikthyer kujtime të errëta, pasi i njëjti hotel është vendi ku në vitin 1981 u tentua atentati ndaj ish-presidentit Ronald Reagan.
Forcat federale kanë ndërmarrë gjithashtu kontrolle në banesën e të dyshuarit në Kaliforni, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit që tronditi një nga eventet më të rëndësishme mediatike në SHBA.






