Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras ka shpallur zyrtarisht krijimin e një partie të re politike të majtë, duke sinjalizuar rikthimin e tij aktiv në skenën politike greke pas largimit nga drejtimi i SYRIZA-s.
Në një aktivitet të zhvilluar në zonën historike të Thiseios në Athinë, Tsipras prezantoi formacionin e ri politik me emrin “Koalicioni i Majtë Helen”, i njohur me akronimin “ELAS”.
Duke mbajtur në dorë deklaratën themeluese të partisë, Tsipras tha se lëvizja e re synon të ndërtojë atë që ai e quajti “demokracia e jetës së përditshme”, duke vendosur në qendër të programit të saj dinjitetin social, demokracinë, të drejtat qytetare dhe reformimin e shtetit grek.
Ish-kryeministri grek prezantoi shtatë angazhimet kryesore të partisë së re. Sipas tij, prioriteti i parë është garantimi i një “jete me dinjitet” për qytetarët, duke vendosur sigurinë ekonomike dhe sociale në qendër të politikave publike.
Një tjetër pikë kyçe e programit është forcimi i demokracisë dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë, ku Tsipras premtoi transparencë dhe përgjegjshmëri në menaxhimin e pushtetit dhe të financave publike.
Në fushën ekonomike, ai foli për nevojën e ndryshimit të modelit ekonomik të Greqisë, me fokus te prodhimi vendas, bujqësia dhe industria, ndërsa premtoi një shtet social më të fortë ku shëndetësia, arsimi, strehimi dhe kultura të mos jenë privilegje, por të drejta për të gjithë.
Tsipras vuri theks edhe te sfidat globale si krizat energjetike dhe ndryshimet klimatike, duke deklaruar se Greqia duhet të bëhet më rezistente përballë pasigurive ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e programit lidhet edhe me “sovranitetin dixhital”. Sipas tij, Greqia duhet të ndërtojë infrastruktura teknologjike kombëtare që mbrojnë sovranitetin dhe të dhënat e qytetarëve.
Në politikën e jashtme, Tsipras kërkoi një “busull të re kombëtare”, duke folur për një Greqi më aktive në arenën ndërkombëtare, që mbron interesat e saj por ndërton edhe ura paqeje dhe bashkëpunimi.
Krijimi i “ELAS” konsiderohet si një zhvillim me rëndësi në politikën greke, në një kohë kur e majta në Greqi vazhdon të përballet me fragmentim dhe krizë identiteti pas rënies së SYRIZA-s në vitet e fundit.
(Burimi: Greek Reporter)






