Në harkun e disa orëve u luajtën dy çerekfinalet e dyta, në Majemi dhe Kansas City të SHBA. Në temperatura përvëluese mbi 40 gradë u luajt Angli – Norvegji, një ndeshje e luftuar gjatë gjithë kohës, ku shkëlqeu talenti i Bellingham, me dy gola.
Haaland nuk ishte në pritshmëritë e tifozerisë norvegjeze, por dhe botërore. Gjigandi norvegjez nuk i mbylli 120 minutat e lojës së rregullt plus shtesën.
Ndeshja ishte fizike dhe raskapitëse për të dyja krahët. Në fillim shënuan norvegjezët nga një kënd i pamundur në minutën e ’36 të pjesës së parë me Andreas Schjelderup. Jude Bellingham shënoi në fillim të pjesës së dytë me një driblim në zonën e rreptësisë, duke vendosur një barazim qetësues deri në përfundim të kohës së rregullt.
Në kohën shtesë, Bellingham përfitoi nga një pasiguri e portierit norvegjez, i cili thuajse ia dhuroi topin numrit 10 të Anglisë, i cili vulosi rezultatin 2 – 1 deri në përfundim. Norvegjezët largohen me kokën lart nga kjo arritje e re e futbollit të tyre.
Pas një ore, në një tjetër qytet me temperatura të larta filloi Argjentinë – Zvicër. Alexis Mac Allister shënoi që në minutën e ’10 për Argjentinën, e cila insistoi në zonën zvicerane.
Loja e Argjentinës la për të dëshiruar në këtë ndeshje, sipas një komenti edhe të vetë trajnerit argjentinas Skaloni. Messi nuk ishte në formën e tij më të mirë.
Në pjesën e dytë Dan Ndoye i Zvicrës shënon në minutën e ’67, ndërsa Embolo del me karton të kuq përjashta, duke e lënë Zvicrën me 10 lojtarë.
Koha e rregullt përfundoi në barazim 1 me 1, duke sjellë shtesën 30-minutëshe që Argjentina e shfrytëzoi që në fillim me golin e Julian Alvarez dhe në fund të shtesës Lautaro Martinez vulosi rezultatin 3 me 1, duke e çuar popullin argjentinas në “qiellin e shtatë” të gëzimit dhe në gjysmëfinale.
Argjentina dhe Anglia do të përballen në gjysmëfinale, në një ndeshje që është shumë më tepër se sa futbolli. Rivaliteti i kësaj sfide tejkalon sportin. Ai kthehet shumë vite pas, në vitin 1982, kur të dyja shtetet u përplasën me armë për Ishujt Falkland diku në Oqeanin Atlantik…







