Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia duhet të përfshihen më shumë në veprimtarinë e përditshme të Bashkimit Evropian, ndërsa avancojnë me reformat e brendshme, sugjeron një dokument franko-gjerman.
Franca dhe Gjermania kanë propozuar një plan të ri për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë me BE-në, me synimin për t’i dhënë një “dinamikë të re” procesit të zgjerimit të Unionit.
Dokumenti, i siguruar nga Euractiv, zhvillon më tej idetë e paraqitura nga kancelari gjerman Friedrich Merz, kur ai sugjeroi muajin e kaluar dhënien e një statusi të anëtarësimit të asociuar në BE për Ukrainën dhe theksoi se ngadalësia e procesit të zgjerimit po krijon frustrim për të gjitha vendet e përfshira.
I niciativa franko-gjermane synon pjesërisht t’u tregojë vendeve të Ballkanit se ato nuk po lihen pas dore dhe se perspektiva e tyre evropiane ofron më shumë sesa vetëm uljen e kostove të roaming-ut.
“Ne duhet të ofrojmë stimuj shtesë në kuadër të një procesi integrimi gradual të bazuar në meritë dhe të thjeshtojmë procedurat aktuale për t’i bërë ato më efikase, duke mundësuar integrim më të shpejtë dhe më të thellë”, thuhet në dokumentin jozyrtar (non-paper).
Ideja e re parashikon krijimin e një sërë “blloqesh ndërtuese” për vendet që vazhdojnë të presin në korridorin e anëtarësimit në BE, duke përfshirë qeveritë e Ballkanit, në fusha të caktuara të veprimtarisë së Bashkimit, në përpjesëtim me progresin e tyre në zbatimin e reformave të brendshme. Megjithatë, kjo përfshirje më e afërt në institucionet dhe politikat e BE-së do të ishte “e kthyeshme” në rast të regresit lidhur me “vlerat dhe parimet themelore” të Brukselit.
“Ne e ftojmë Komisionin Evropian të paraqesë propozime që do të lehtësojnë integrimin gradual të vendeve kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në dokument.
David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, deklaroi se kjo nismë do të forcojë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Ajo ruan parimin e një procesi anëtarësimi të bazuar në meritë dhe reforma. Nga ana tjetër, krijon mundësinë që progresi në reforma të lidhet më herët dhe më dukshëm me integrimin gradual në programet, institucionet dhe fushat e politikave evropiane”, tha eurodeputeti gjerman.
Dokumenti përfshin “blloqet ndërtuese” të mëposhtme, të cilat do të varen nga niveli i progresit drejt anëtarësimit:
- Përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë takime të përbashkëta me komisionerët evropianë dhe deputetët e Parlamentit Evropian dy herë në vit.
- Deputetët e Parlamentit Evropian do të takohen më rregullisht me deputetët e parlamenteve kombëtare të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.
- Liderët dhe ministrat e tyre do të marrin pjesë në mbledhjet joformale të Këshillit të BE-së dhe të Këshillit Evropian për “çështje specifike të rendit të ditës”, si dhe do të mund të ndjekin diskutimet për çështje të tjera pa të drejtë vote.
- Bashkëpunim i zgjeruar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
- Përfshirje në programet e BE-së, si Creative Europe, Erasmus+, si dhe integrim më i thellë në Horizon, programin evropian të kërkimit shkencor.
- Përfshirje më e thellë në segmente të tregut të përbashkët, duke filluar nga tregjet e energjisë, Sistemi i Tregtimit të Emetimeve (ETS), deri te politikat e BE-së për strategjinë industriale, politikat digjitale, lëndët e para kritike dhe marrëveshjet SPS (sanitare dhe fitosanitare).
- Pjesëmarrja e plotë në tregun e përbashkët mund të jepet sipas një modeli të ngjashëm me atë të vendeve të përfshira në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA).
Burimi: Euractiv






