Në periferi të kryeqytetit armen, Jerevan, ndodhet një nga klinikat më të pazakonta në botë. Për të arritur atje, pacientët zbresin 250 metra nën tokë, në një minierë aktive kripe, ku kalojnë çdo ditë nga gjashtë orë duke marrë frymë në ajrin e pasur me kripë, me shpresën se do të lehtësojnë problemet me frymëmarrjen.
Klinika, e hapur në vitin 1987, ofron një terapi të njohur si speleoterapi, e cila bazohet në idenë se ajri i pastër, pa alergjenë dhe i ngopur me grimca kripe mund të ndihmojë pacientët që vuajnë nga astma, bronkiti, alergjitë dhe sëmundje të tjera kronike të rrugëve të frymëmarrjes.

Një prej pacientëve, Mikayel Torosian, thotë se kishte provuar çdo trajtim të mundshëm pa rezultat.
“Mendova se ishte një marrëzi derisa e provova. Sot jam plotësisht i bindur se më ka shpëtuar,” shprehet ai.
Për të hyrë në klinikë, pacientët përdorin një ashensor industrial që i çon në galeritë e minierës. Aty, mes tuneleve të gdhendura në kripë, ata pushojnë, bëjnë ushtrime të frymëmarrjes, ecin ose thjesht kalojnë orë të tëra në qetësi.
Mjekja Anush Voskanyan, e cila punon në këtë klinikë që prej vitit 1989, shpjegon se ideja lindi pasi u vu re se minatorët e kripës prekeshin shumë rrallë nga sëmundjet e frymëmarrjes. Sipas saj, përfitimet lidhen me kombinimin e ajrit të pasur me kripë, temperaturës konstante prej rreth 19 gradë Celsius, mungesës së ndotjes, alergjenëve dhe zhurmës.
Trajtimi zgjat zakonisht tre javë, me pacientët që kalojnë çdo ditë gjashtë orë nën tokë.

Në kulmin e aktivitetit, klinika priste mijëra pacientë çdo vit dhe trajtimi mbulohej nga sistemi shëndetësor armen. Sot situata ka ndryshuar.
Në vitin 2019, qeveria armene ndërpreu financimin publik, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që speleoterapia të justifikojë mbështetjen me fonde shtetërore. Tashmë pacientët paguajnë rreth 20 paund për çdo seancë, ndërsa numri i tyre ka rënë ndjeshëm.
“Dikur trajtonim 60 pacientë njëherësh. Sot kemi vetëm pesë. Jemi në prag të mbylljes,” thotë Voskanyan.
Edhe pse speleoterapia përdoret prej dekadash në Evropën Lindore dhe në ish-vendet sovjetike, studimet shkencore mbi efektivitetin e saj mbeten të kufizuara. Shumë specialistë të sëmundjeve të frymëmarrjes e konsiderojnë atë një terapi plotësuese që mund të lehtësojë simptomat, por jo të zëvendësojë trajtimin mjekësor konvencional.
Megjithatë, për pacientët që rikthehen prej vitesh në këtë minierë kripe, përvoja është bindëse.
“Nëse nuk do të më ndihmonte, nuk do të kthehesha çdo vit,” thotë një prej tyre.

Burimi: The Guardian





