Një valë e pazakontë reagimesh publike ka ardhur ditët e fundit nga disa prej influencuesve më të njohur rusë, të cilët kanë dalë hapur me kritika ndaj politikave të Presidentit Vladimir Putin — diçka e rrallë në një klimë ku zërat kritikë shpesh mbeten të përmbajtur.
E para që ndezi debatin ishte influencuesja e njohur e bukurisë Victoria Bonya, e cila në një video të drejtpërdrejtë në Instagram iu drejtua vetë presidentit me tone të forta:
“Vladimir Vladimiroviç, njerëzit kanë frikë nga ju… blogerët kanë frikë, artistët kanë frikë, guvernatorët kanë frikë.”
Në mesazhin e saj, Bonya — që jeton aktualisht në Monako — renditi një sërë problemesh, nga reagimi i ngadaltë ndaj përmbytjeve në Dagestan, tek menaxhimi i situatave në Siberi dhe kufizimet në rritje në internet. Ajo ngriti shqetësimin se qytetarët po e humbin ndjesinë e lirisë, duke thënë se komunikimi me të afërmit po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Videoja u bë virale, duke mbledhur mbi 26 milionë shikime dhe dhjetëra mijëra komente, shumë prej të cilave e përgëzonin për guximin.
Reagimi nuk mbeti i izoluar. Influencuesja tjetër e njohur Aiza mbështeti publikisht Bonya-n, duke kritikuar kufizimet ndaj platformës Telegram dhe duke ngritur akuza për pabarazi ekonomike dhe korrupsion. “Sa para duhet të vidhni që t’ju mjaftojnë?” shkroi ajo, përpara se ta fshinte më vonë postimin.
Edhe figura të tjera të rrjeteve sociale kanë nisur të flasin më hapur. Blogerja Liza Moka publikoi një video emocionale ku shprehej se nuk mund ta përballonte më situatën, duke theksuar se për shumë njerëz në zona të largëta, interneti është e vetmja mënyrë për të punuar dhe për të arsimuar fëmijët.
Ndërkohë, përdorues të rinj kanë shprehur hapur zhgënjimin për kufizimet e reja, duke vënë në pikëpyetje konceptin e lirisë në vend.
Këto reagime vijnë në një moment kur Rusia ka ashpërsuar kontrollin mbi hapësirën digjitale. Kufizimet ndaj Telegram, goditjet ndaj VPN-ve dhe ndërprerjet e internetit celular kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe në të ardhurat e shumë krijuesve të përmbajtjes nё rrjetet sociale.
Zyrtarët i justifikojnë këto masa si të nevojshme për sigurinë, duke i lidhur me kërcënimet nga Ukraina. Por analistët thonë se ndikimi në opinionin publik është i dukshëm.
“Duket se diçka po ndryshon,” ka deklaruar analistja politike Tatiana Stanovaya, duke theksuar se kufizimet e fundit mund të përbëjnë një moment kthese në perceptimin publik.
Në një shoqëri ku kritika publike ndaj pushtetit është e rrallë, zërat e influencuesve — sidomos ata me miliona ndjekës — po shihen si një sinjal i qartë se pakënaqësia po del gjithnjë e më shumë në sipërfaqe.

(Burimi: CNN)






