Mexico City po përballet me një katastrofë të heshtur që tashmë nuk shihet vetëm nga rrugët e çara dhe ndërtesat e pjerrëta, por edhe nga hapësira.
Pamje të reja satelitore të publikuara nga NASA tregojnë se pjesë të kryeqytetit meksikan po fundosen me ritme alarmante – deri në 0.8 inç në muaj, ose gati 25 centimetra në vit.
Për një metropol me mbi 22 milionë banorë, kjo nuk është më thjesht një çështje urbanistike. Është një krizë ekzistenciale.
Qyteti i Meksikos është ndërtuar mbi një liqen të lashtë dhe mbi një akuifer gjigant që furnizon me ujë pjesën më të madhe të popullsisë. Për dekada me radhë, rezervat nëntokësore janë shfrytëzuar në mënyrë agresive për të furnizuar qytetin që zgjerohet pa pushim.

Rezultati është dramatik: toka poshtë qytetit po boshatiset gradualisht dhe po shembet nën peshën e vetë metropolit.
Sateliti NISAR – një projekt i përbashkët mes NASA-s dhe agjencisë hapësinore indiane – ka dokumentuar me detaje tronditëse deformimin e tokës gjatë vetëm tre muajve, nga tetori 2025 deri në janar 2026.
Pamjet tregojnë zona të tëra të qytetit që “ulen” gradualisht, ndërsa infrastruktura çahet centimetër pas centimetri.
Në shumë lagje janë shfaqur rrugë të deformuara, ndërtesa të pjerrëta dhe dëmtime serioze në linjat e ujit dhe transportit.
Madje edhe simboli më i famshëm i qytetit, Engjёlli i Pavarёsisё, po “zhytet” bashkë me tokën.
Monumenti historik, i ndërtuar në vitin 1910, ka pasur nevojë për 14 shkallë shtesë në bazë, sepse niveli i rrugës rreth tij ka rënë vazhdimisht ndër vite.
Ndër zonat më të goditura është edhe aeroporti kryesor i qytetit, Benito Juarez International Airport, ku deformimet e tokës po krijojnë probleme serioze për infrastrukturën.

Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni nuk lidhet vetëm me mungesën e ujit, por edhe me zhvillimin urban të pakontrolluar. Miliona ton beton, ndërtesa dhe infrastrukturë e re po shtojnë presion mbi tokën e pasur me argjilë, duke përshpejtuar fundosjen.
Kriza ka sjellë edhe një frikë tjetër për qytetin: “Dita Zero” – momenti kur rezervat e ujit mund të shterojnë dhe rubinetat të ndalojnë së rrjedhuri.

Sipas shkencëtarëve, Mexico City tashmë është një nga qytetet që fundosen më shpejt në botë.
Dhe ajo që e bën edhe më dramatike situatën është fakti se kjo katastrofë nuk po ndodh nga një tërmet apo një shpërthim vullkanik.
Qyteti po shembet ngadalë, çdo ditë, nën këmbët e vetë banorëve të tij.
(Burimi: CNN)






