Ngushtica e Hormuzit po kthehet edhe një herë në pikën më të rrezikshme të planetit, ndërsa SHBA dhe Irani shkëmbyen sulme të reja ushtarake mes tensioneve për bllokadën detare dhe negociatave të brishta për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij pret “sonte” një përgjigje nga Irani për propozimin amerikan që synon mbylljen e konfliktit të nisur në shkurt nga SHBA dhe Izraeli kundër Teheranit.
“Do të dëgjojmë prej tyre sonte”, tha Trump për CNN, duke refuzuar të tregojë nëse beson se Irani po fiton kohë me negociatat.
Pak orë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kishte deklaruar nga Italia se Uashingtoni shpreson të marrë një “ofertë serioze” nga Teherani.
Por ndërsa diplomacia vazhdon në sfond, situata ushtarake në Gjirin Persik po përshkallëzohet me shpejtësi.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane goditën dy anije cisternë me flamur iranian që sipas SHBA-ve po përpiqeshin të thyenin bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane, anijet u neutralizuan me “municione precize” pasi refuzuan urdhrat për ndalim. SHBA deklaroi se aktualisht po pengon më shumë se 70 tankerë të hyjnë apo të dalin nga portet iraniane.
Nga ana tjetër, Irani akuzoi SHBA-në për “aventurë ushtarake të pamatur” dhe deklaroi se amerikanët po zgjedhin luftën sa herë që diplomacia afrohet me një zgjidhje.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi reagoi ashpër në rrjetin X.
“Iranianët nuk do të përkulen kurrë para presionit”, shkroi ai, duke pyetur nëse veprimet amerikane janë “presion brutal” apo rezultat i inteligjencës që “po e mashtron sërish Trumpin drejt një moçali tjetër lufte”.
Ndërkohë, media iraniane raportoi për një “shkëmbim të kufizuar zjarri” rreth Ngushticës së Hormuzit. Teherani pretendon se SHBA ka goditur edhe një tanker tjetër iranian dhe disa zona bregdetare pranë Minabit.
Autoritetet iraniane thanë se një anije mallrash mori flakë pas sulmit dhe se të paktën 10 marinarë u plagosën, ndërsa ekipet e kërkimit po përpiqen të gjejnë persona të tjerë të zhdukur.
Trump reagoi gjatë natës në rrjetin Truth Social duke deklaruar se SHBA ka shkatërruar anije të vogla iraniane, raketa dhe dronë.
“Ashtu siç i rrëzuam sot, do t’i godasim shumë më fort dhe shumë më dhunshëm nëse nuk nënshkruajnë marrëveshjen SHPEJT”, shkroi presidenti amerikan.
Përplasjet e reja tregojnë se armëpushimi mbetet tepër i brishtë dhe se rajoni mund të rikthehet shumë shpejt në një konflikt të hapur ushtarak.






