Kombëtarja e Iranit ndodhet në pritje të një vendimi të rëndësishëm vetëm pak ditë përpara nisjes së Kupës së Botës 2026, pasi pasaportat e lojtarëve dhe stafit teknik janë dorëzuar pranë Ambasadës Amerikane në Ankara për procedurat e pajisjes me viza.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, i cili deklaroi se kërkesa për dorëzimin e dokumentacionit është bërë nga vetë FIFA, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e Iranit në turneun më të madh të futbollit botëror.
“FIFA na kërkoi të dorëzonim pasaportat e anëtarëve të kombëtares iraniane në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara dhe ne e bëmë këtë. Tani po presim përgjigjen për vizat,” deklaroi Taj për televizionin shtetëror iranian.
Sipas tij, autoritetet sportive iraniane presin që brenda dy ditëve të ardhshme të kenë një përgjigje përfundimtare, pasi skuadra duhet të nisë udhëtimin drejt qytetit meksikan Tijuana, ku do të vendoset gjatë zhvillimit të Botërorit.
Megjithëse shprehu optimizëm se të gjithë anëtarët e delegacionit do të pajisen me vizë, Taj pranoi se ekziston ende një element pasigurie.
“Vlerësimi im është se vizat do të jepen për të gjithë anëtarët e ekipit. Megjithatë, ne i kemi bërë të ditur FIFA-s se nëse disa prej anëtarëve të delegacionit nuk pajisen me vizë, do të detyrohemi të marrim vendime të tjera,” tha ai.
Presidenti i federatës nuk sqaroi se cilat mund të jenë alternativat që po shqyrtohen.
Çështja e vizave është kthyer në një nga temat më të diskutuara për Iranin në prag të Kupës së Botës, veçanërisht pas tensioneve të fundit politike mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Pak ditë më parë, autoritetet iraniane konfirmuan se lojtarët dhe stafi kishin marrë vizat për Meksikën, vend ku kombëtarja do të qëndrojë gjatë gjithë turneut.
Megjithatë, të tre ndeshjet e Grupit G do të zhvillohen në territorin amerikan, çka e bën të domosdoshme pajisjen me viza amerikane.
Irani do të debutojë më 16 qershor ndaj Zelandës së Re në stadiumin “SoFi Stadium” të Los Anxhelosit. Pesë ditë më vonë do të përballet me Belgjikën në të njëjtin stadium, ndërsa më 26 qershor do të luajë kundër Egjiptit në “Lumen Field” të Seattle.
Për këtë arsye, skuadra do të duhet të udhëtojë vazhdimisht nga Tijuana e Meksikës drejt Shteteve të Bashkuara për secilën prej ndeshjeve.
Vetë zgjedhja e Tijuana-s si bazë e kombëtares iraniane lidhet pikërisht me tensionet diplomatike dhe shqetësimet mbi procedurat e hyrjes në SHBA.
Më herët, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, konfirmoi se Irani do të mirëpritej në territorin meksikan gjatë zhvillimit të Botërorit.
Aktualisht kombëtarja iraniane ndodhet në një kamp stërvitor në Antalia të Turqisë, ku po përgatitet për sfidat e Kupës së Botës.
Ndërkohë, sytë e futbollit iranian mbeten të drejtuar nga Ambasada Amerikane në Ankara, prej nga pritet të vijë vendimi që do të përcaktojë nëse rruga e Iranit drejt Botërorit do të jetë e qetë apo do të shoqërohet me një tjetër përplasje diplomatike.
Burimi: AA






