Ndërsa mijëra qytetarë vijojnë të protestojnë në zemër të Tiranës kundër projektit të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, kryeministri Edi Rama ka reaguar nga vetë Zvërneci me një deklaratë të fortë politike, duke sfiduar hapur protestën dhe organizatorët e saj.
Rama deklaroi se as një mobilizim masiv nuk do të ndryshonte qëndrimin e qeverisë.
“Jo 5 mijë veta të dalin në protestë, por 500 mijë të dalin nuk mjaftojnë. Unë kam kontratë me 800 mijë veta të Partisë Socialiste”, u shpreh kryeministri.
Deklarata vjen në një moment kur protestat kundër projektit kanë hyrë në ditën e gjashtë radhazi dhe kur Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me protestues që kundërshtojnë ndërtimin në një nga zonat më të ndjeshme dhe më të mbrojtura të bregdetit shqiptar dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
Qytetarët, aktivistët dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë marshuar sërish drejt Kryeministrisë me pankarta dhe flamuj kombëtarë, duke përsëritur thirrjen “Shqipëria nuk është në shitje” dhe sloganin që po shoqëron protestën: “Nesër më shumë”.
Nga ana e tyre, organizatorët argumentojnë se çështja nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me mënyrën sesi menaxhohen pasuritë publike dhe zonat e mbrojtura në vend.
Ndërkohë, deklarata e Ramës ka ngjallur reagime të menjëhershme në rrjetet sociale, ku shumë komentues kanë vënë në dukje kontrastin mes fjalëve të kryeministrit dhe pamjeve që vijnë nga kryeqyteti, ku sheshi para Kryeministrisë dhe segmentet kryesore të bulevardit janë tejmbushur me protestues.






