Evropa po përballet me një nga valët më intensive të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë, ndërsa temperaturat ekstreme po zhvendosen drejt Evropës Qendrore dhe Lindore, duke thyer rekorde në dhjetëra qytete dhe duke vënë në alarm autoritetet shëndetësore.
Shërbimet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërimet më të larta për temperatura ekstreme në Francë, Gjermani, Zvicër, Austri dhe Hungari, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se në disa zona temperaturat do të kalojnë ndjeshëm 40 gradë Celsius.
Sipas grupit shkencor World Weather Attribution, vala aktuale e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Perëndimore konsiderohet “më e rënda e regjistruar ndonjëherë”.
Në Gjermani pritet që temperaturat të ngjiten shumë mbi 40°C në disa rajone, ndërsa Holanda ka shpallur alarm të kuq, me parashikime që termometri të arrijë deri në 40°C.
Në Bratislavë të Sllovakisë u regjistrua nata më e nxehtë në histori, pasi temperatura nuk zbriti nën 26.3°C, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2017. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se fundjava do të jetë edhe më e nxehtë, me temperatura që mund të arrijnë 39°C ose më shumë.
Ndërkohë, sistemi shëndetësor në disa vende po përballet me presion të madh. Vetëm në Spanjë janë raportuar mbi 300 viktima të lidhura me temperaturat ekstreme gjatë javës së fundit.
Një studim i publikuar nga World Weather Attribution tregon se temperaturat në Britani, Gjermani, Francë, Itali dhe Spanjë janë aktualisht nga 5 deri në 12 gradë Celsius mbi mesataren sezonale.
Analiza e 854 qyteteve evropiane zbulon se në 45% të tyre rekordet historike të temperaturave janë thyer ose pritet të thyhen gjatë kësaj vale të të nxehtit.
Edhe Mbretëria e Bashkuar vijon të mbetet në gatishmëri. Zyra Meteorologjike britanike ka lëshuar alarm portokalli për vapë ekstreme në juglindje të Anglisë, ku temperaturat në Londër pritet të arrijnë deri në 32°C, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të regjistrojë temperatura nga 27 deri në 28°C.
Shkencëtarët paralajmërojnë se episodet e vapës ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke rritur rrezikun për shëndetin publik, zjarret, thatësirat dhe mbingarkesën e sistemeve energjetike në të gjithë kontinentin.






