Mesazhet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin nuk tregojnë vetëm një histori intime të papërshtatshme për shefen e shërbimit sekret. Ato tregojnё hapur sot atё qё tё gjithё e flasin nёn zё: intimiteti ёshtё mekanizmi që e bën ҫdo drejtues/e të kapshёm dhe të kontrollueshёm!
Pushteti funksionon më mirë kur njerëzit që vendosen në poste kyçe kanë edhe një pikë ku mund të kapen. Një interes financiar, një sekret, një aferë apo një marrëdhënie që nuk duhet të dalë. Sa më delikat posti, aq më e vlefshme bëhet dobësia.
Në rastin Hyseni, materialet e publikuara tregojnë një afërsi jashtëzakonisht personale me Ergys Agasin: “zemër”, “shpirt”, “të du”. Por në të njëjtat komunikime pretendohet se kalojnë edhe informacione për policinë, takime të drejtueses së SHISH me kryeministrin dhe deri te fjalia:
“Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty.”
Ndaj pyetja nuk është se me kë ishte “e dashuruar” Vlora Hyseni. Është kush kishte pushtet mbi kë.
Hyseni u propozua nga Edi Rama për të drejtuar institucionin që duhet të dijë sekretet e të gjithëve. Sot del se vetë drejtuesja e këtij institucioni kishte një sekret të madh të sajin.
Nuk ka deri tani prova publike se Rama e dinte këtë marrëdhënie, aq më pak se ia kishte “varur në qafë” Agasit për ta kontrolluar Vlorёn. Por pikërisht këtë duhet të sqarojë hetimi: kur një njeri vendoset në majën e sigurisë kombëtare, kush e verifikoi cenueshmërinë e tij dhe si ka mundёsi tё mos jetё parё një marrëdhënie e tillë, kur tё dy drekonin e darkonin mes kryeqytetit, nё restorantin e preferuar edhe tё Kryeministrit?





