Më shumë se 800 mijë njerëz mbushën të shtunën qendrën e Parisit për të marrë pjesë në meshën e hapur të Papa Leo XIV, në një nga momentet më të mëdha publike të vizitës së tij katërditore në Francë.
Papa 71-vjeçar përshkoi Champs-Élysées me “papamobilin”, përpara se të drejtonte meshën në Place de la Concorde, ku ishte ngritur një altar i përkohshëm nën një tendë të madhe të bardhë. Sipas Vatikanit, turma shtrihej për më shumë se dy kilometra, deri përtej Harkut të Triumfit.
Qendra e Parisit u mbyll për zhvillimin e ceremonisë, ndërsa masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme, me helikopterë që patrullonin nga ajri dhe snajperë të pozicionuar në çatitë e ndërtesave.
“Është vërtet mirë dhe bukur kur vëllezërit dhe motrat bashkohen dhe lartësojnë madhështinë e Zotit”, tha Papa gjatë meshës.
Vizita ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se është vizita e parë zyrtare e një pape në Francë në gati dy dekada. Një ditë më parë, rreth 300 mijë njerëz kishin dalë për ta përshëndetur gjatë rrugës së tij drejt Katedrales Notre-Dame.
Pas meshës në Paris, Papa Leo XIV udhëtoi drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë. Ai u lut në Shpellën e Massabielle, ku sipas traditës katolike Virgjëresha Mari iu shfaq në vitin 1858 Bernadette Soubirous, e shpallur më vonë shenjtore.
Në lutjen e tij, Papa kërkoi që Franca të ketë udhëheqës “të mençur dhe bujarë”, të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët, si dhe që vendi të mbrojë të drejtat themelore të njeriut dhe paqen në botë, duke “refuzuar njëherë e përgjithmonë mentalitetin e luftës”.
Gjatë ditës, Papa vizitoi gjithashtu Maison Bakhita, një organizatë që mbështet refugjatët dhe emigrantët, ku foli për mundësinë e bashkëjetesës “me dinjitet dhe në paqe”.
Leo XIV është Papa i tretë që viziton Lourdes, pas Gjon Palit II në vitet 1983 dhe 2004 dhe Benediktit XVI në vitin 2008. Vendi vizitohet çdo vit nga rreth tre milionë pelegrinë.







