Një incident tragjik dhe i pazakontë ka tronditur aeroportin ndërkombëtar të Denverit në SHBA, ku një avion i kompanisë Frontier Airlines përplasi për vdekje një person gjatë ngritjes, ndërsa motori i avionit mori flakë dhe qindra pasagjerë u detyruan të evakuoheshin me urgjencë në pistë.
Aeroplani, një Airbus A321 me destinacion Los Angelesin, po përgatitej për ngritje rreth orës 23:19 të së premtes kur piloti raportoi se kishte goditur një person në pistë.
Sipas autoriteteve amerikane, viktima kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në zonën e sigurisë së aeroportit, pasi kishte kapërcyer gardhin rrethues dhe kishte vrapuar drejt pistës vetëm pak minuta para përplasjes fatale.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, e përshkroi viktimën si një “person që shkeli kufirin e sigurisë”, duke thënë se ai “u ngjit qëllimisht mbi gardhin e aeroportit dhe vrapoi drejt pistës”.
“Personi u godit nga fluturimi 4345 i Frontier Airlines gjatë fazës së ngritjes me shpejtësi të lartë”, deklaroi Duffy në një postim në X.
Autoritetet thanë se personi i vdekur besohet të ketë qenë një punonjës i aeroportit, por identiteti i tij ende nuk është bërë publik.
Momente paniku u regjistruan menjëherë pas përplasjes. Sipas komunikimeve të publikuara nga kontrolli ajror, piloti njoftoi kullën:
“Po ndalojmë në pistë… sapo goditëm dikë. Na ka marrë flakë motori.”
Pak sekonda më vonë, piloti raportoi edhe prani tymi brenda avionit dhe paralajmëroi evakuim emergjent.
“Në avion kemi 231 shpirtra… do të evakuohemi në pistë”, dëgjohet të thotë ai në regjistrimet audio.
Frontier Airlines konfirmoi se pas përplasjes u raportua tym në kabinë dhe ekuipazhi vendosi të ndërpresë menjëherë ngritjen.
Në bord ndodheshin 224 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi. Pasagjerët u evakuuan përmes rrëshqitëseve emergjente, ndërsa ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të neutralizuar flakët në motor.

Sipas Sean Duffy, 12 persona mbetën të lënduar gjatë incidentit, ndërsa pesë prej tyre u dërguan në spital për trajtim.
Një video e publikuar në rrjetet sociale dhe e filmuar nga një pasagjer duket se kap momentin e përplasjes. Në pamje dëgjohet një goditje e fortë, pasuar nga britma paniku të pasagjerëve. Pamje të tjera tregojnë gjurmë gjaku në pjesën e brendshme të motorit të avionit ndërsa njerëzit largoheshin me urgjencë nga kabina.
Aeroporti i Denverit bëri të ditur se pista ku ndodhi ngjarja do të mbetet e mbyllur deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), FAA dhe TSA kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi një tjetër aksident fatal u regjistrua në aeroportin ndërkombëtar të Orlandos, ku një punonjës i Delta Airlines humbi jetën pasi u godit nga një automjet pranë një avioni me pasagjerë në bord.






