Gjithnjë e më shumë vende në botë po vendosin kufizime të forta ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, në atë që ekspertët e konsiderojnë një moment historik për mënyrën se si qeveritë po përballen me ndikimin e teknologjisë te të miturit.
Nisma nisi me Australinë, e cila në dhjetor 2025 hyri në histori duke ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për të rinjtë nën moshën 16 vjeç. Fillimisht u pa si një eksperiment i izoluar, por brenda pak muajsh modeli australian u shndërrua në frymëzim për shumë vende të tjera.
Në mars të këtij viti, Indonezia bllokoi aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç në shumicën e platformave sociale. Më pas të njëjtën rrugë ndoqi Malajzia, ndërsa Britania e Madhe njoftoi javën e kaluar se do të vendosë ndalimin deri në fillim të vitit 2027. Edhe Franca, Austria, Norvegjia dhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë ose kanë propozuar kufizime të ngjashme, me pragje të ndryshme moshe.
Paralelisht, disa shtete kanë zgjedhur të kufizojnë përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla. Danimarka, Polonia dhe Anglia kanë vendosur ndalime për celularët gjatë orëve të mësimit, ndërsa Brazili ka ndaluar përdorimin e tyre në shkolla për të gjitha grupmoshat, por u lejon fëmijëve nën 16 vjeç të kenë llogari në rrjetet sociale vetëm nëse ato lidhen zyrtarisht me një prind ose kujdestar ligjor.
Presioni ndaj kompanive të teknologjisë është rritur ndjeshëm edhe për shkak të proceseve gjyqësore të ngritura në vende të ndryshme. Mijëra familje, distrikte shkollore dhe autoritete publike kanë paditur platformat sociale, duke i akuzuar se kanë krijuar produkte me mekanizma që nxisin varësinë, si edhe se nuk kanë mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e rrezikshme dhe shfrytëzimi seksual. Kompanitë kanë mohuar akuzat.
Një nga rastet më të rëndësishme u zhvillua në Kaliforni, ku Meta dhe YouTube u shpallën përgjegjëse për projektimin e produkteve që krijonin varësi te një përdoruese e mitur, duke kontribuar në dëmtimin e saj. Vendimi konsiderohet një pikë kthese në debatin mbi përgjegjësinë e platformave digjitale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shkenca ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare mbi efektivitetin e ndalimeve. Edhe në Australi, ku qeveria deklaron se rreth pesë milionë llogari të fëmijëve janë mbyllur, një sondazh zbuloi se rreth dy të tretat e të rinjve që kishin përdorur rrjetet sociale para hyrjes në fuqi të ligjit kanë arritur të vazhdojnë t’i përdorin ato në mënyra alternative.
Organizata si Amnesty International kanë kritikuar ndalimet totale, duke i cilësuar si një zgjidhje të pjesshme. Sipas tyre, mbrojtja e fëmijëve duhet të bazohet në rregullim më të fortë të platformave, mbrojtje më të mirë të të dhënave personale, edukim digjital dhe detyrimin e kompanive për të krijuar ambiente më të sigurta për të gjithë përdoruesit.
Pavarësisht debateve, një gjë duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë: qeveritë në mbarë botën po kalojnë nga diskutimet te veprimet konkrete, ndërsa presioni ndaj gjigantëve të teknologjisë për të mbrojtur fëmijët në internet po rritet vazhdimisht.





