• Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Kryefaqja Investigim

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

27 Qershor, 2026
në Investigim
A A
The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

Foto: Marrë nga libri "The Albanian Files"

2
SHIKIME
Share on FacebookShare on Twitter

Nga kontrasT.al

Në telefonat e shumë gazetarёve, arkitektëve, urbanistëve dhe studiuesve të planifikimit urban qarkullon tashmё versioni digjital i një botimi voluminoz me 750 faqe, i titulluar “The Albanian Files – Freedom and Architecture”. Libri është botuar si një përmbledhje e përvojave të dhjetëra studiove më të njohura ndërkombëtare të arkitekturës që kanë projektuar, ndërtuar ose konkurruar në Shqipëri gjatë më shumë se dy dekadave të fundit. Secila studio rrëfen historinë e saj, projektet që ka realizuar, marrëdhëniet me institucionet shqiptare, investitorët dhe mënyrën se si ka funksionuar arkitektura në Shqipëri.

Në pamje të parë duket një libër profesional, i destinuar për arkitektët. Në fakt, ai mund të rezultojë një nga dokumentet më historike dhe politike që është botuar ndonjëherë, për mënyrën se si janë ndërtuar projektet më të mëdha urbane në Shqipëri. Midis qindra faqeve nuk gjenden vetëm vizatime, projekte dhe fotografi. Gjenden edhe rrëfime personale të vetë arkitektëve, të shkruara pa filtra, ku përshkruhen marrëdhëniet me Edi Ramën, me investitorët, me bashkitë dhe me mënyrën se si merreshin projektet.

Libri nuk është shkruar nga opozita. Nuk është një dosje hetimore e SPAK-ut. Nuk është një investigim gazetaresk. Janë vetë arkitektët, “shkrimtarët” e projekteve më të njohura në Shqipëri, të cilët kanë zgjedhur të tregojnë historitë e tyre, si në një libër me përralla të Andersenit.

Ndër kapitujt më interesantë, është ai i studios gjermane Bolles+Wilson, një prej zyrave më të njohura europiane, e pranishme në Shqipëri që prej vitit 2002 dhe autore e një numri të madh projektesh në Tiranë, Korçë dhe qytete të tjera. Në faqen 178 tё këtij libri, arkitekti Peter Wilson nuk flet vetëm për arkitekturën. Ai flet për mënyrën si janë krijuar marrëdhëniet me pushtetin.

Në një prej pasazheve ai shkruan:

“Isha arkitekti i parë i huaj aktiv në Shqipëri. Studio jonë ishte një nga tre ekipet e ftuara në konkursin e parë ndërkombëtar nga kryebashkiaku Edi Rama.”

Vetë kjo fjali, trondit me vërtetësinë e saj dhe tregon kaq qartë se, kontakti nuk nisi përmes një procedure të zakonshme ku çdo studio paraqitej në kushte të barabarta, por përmes një ftese të drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës së asaj kohe.

Më tej rrëfimi bëhet edhe më interesant.

Arkitekti nuk përmend vetëm një projekt. Ai përshkruan një mekanizëm të mirëorganizuar pune. Investitori nuk i është drejtuar vetë studios për të kërkuar një zgjidhje arkitekturore, por, sipas rrëfimit të Peter Wilson, ka qenë vetë Edi Rama ai që e ka orientuar drejt zyrës së tyre. Pikërisht për këtë mekanizëm është folur për vite me radhë në korridoret e botës së ndërtimit, ku gjithnjë është pretenduar se projektet, investitorët dhe arkitektët nuk takoheshin rastësisht, por përmes një ndërmjetësimi të drejtpërdrejtë politiko korruptiv: vetëm duke u dorëzuar te studio apo arkitekti “i duhur” mund tё merrej leja e ndёrtimit.

Për herë të parë, një përshkrim i tillë nuk vjen nga kundërshtarë politikë apo nga një investigim mediatik vendas apo i huaj, por nga një prej arkitektëve që ka qenë pjesë e këtij procesi rekrutimi arkitekturor, e që e rrëfen atë si një episod krejt normal të eksperiencës së tij në Shqipëri.

Po në të njëjtin kapitull, Peter Wilson zbulon se ndërhyrja kishte të bënte me ndërtesën që sot njihet si Coin Tower, godina e biznesmenit Bashkim Ulaj, një nga kullat më të njohura pranё Radio Televizionit Shqiptar. Sipas rrëfimit të tij, projekti fillestar nuk e kishte bindur Edi Ramën dhe ishte pikërisht ky i fundit që kërkoi ridizenjimin e fasadës, duke e dërguar investitorin (Bashkim Ulajn nё kёtё rast) te studio projektuese.

Foto: Marrë nga libri “The Albanian Files”

Për vite me radhë Coin Tower është trajtuar si një investim privat i lidhur ngushtё me Sali Berishёn, ndërsa arkitekti lë të kuptohet se në projekt ka pasur një ndërhyrje të drejtpërdrejtë “estetike dhe konceptuale” nga kryebashkiaku i atëhershëm Rama. Nëse rrëfimi i Wilson është i saktë, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me miratimin administrativ të një lejeje ndërtimi, por me një rol shumë më aktiv të Edi Ramës në përzgjedhjen e arkitektit dhe në përcaktimin e mënyrës se si do të dukej një ndërtesë private. Rol që në dimensionin moral politik dënohet dhe në dimensionin juridik, ka shumë indicie për të cilat mund të hetohet.

Coin Tower nuk është një godinë periferike apo një objekt pa ndikim urban. Godina gjigande ndodhet në një nga hyrjet më të rëndësishme të Tiranës dhe është bërë pjesë e identitetit vizual të qytetit. Prandaj, kur vetë arkitekti shkruan se investitori iu dërgua nga Edi Rama dhe se projekti u ndryshua sepse nuk i plotësonte pritshmëritë e kryebashkiakut, lind natyrshëm pyetja: deri ku shtrihej roli institucional i kryebashkiakut dhe ku fillonte ndikimi i tij personal mbi investimet private?

Pikërisht ky mekanizëm që prej vitesh është përfolur nga arkitektë, ndërtues dhe zhvillues të tregut imobiliar, por që rrallë apo asnjë here nuk është pranuar publikisht nga vetë protagonistët del në “dritën” e një libri. Në këtë rast, nuk kemi më një thashethem apo një deduksion. Kemi një rrëfim të shkruar, të botuar dhe të firmosur nga arkitekti që ka realizuar projektin dhe vulosur nga Edi Rama me parathёnien e tij. Provë e pakundërshtueshme.

Në një tjetër pjesë të librit ai përshkruan marrëdhënien me biznesmenin Fatmir Bekteshi pёr njё godinё tjetёr tё lakmueshme nё hyrje tё liqenit artificial.

“Fatmir Bekteshi, një investitor i njohur për mbjelljen e perimeve rreth ndërtesave të tij, na kërkoi të përdornim një sasi të madhe tjegullash të dëmtuara që i kishte blerë me çmim shumë të ulët. Ne i përdorëm ato si bazament të ndërtesës.”

Foto: Marrë nga libri “The Albanian Files”

Por nuk është ky detaji që tërheq më shumë vëmendjen. Më interesante është mënyra spontane me të cilën arkitekti rrëfen marrëdhëniet e drejtpërdrejta me investitorët, me kryetarët e bashkive dhe me politikën shqiptare, si pjesë normale e procesit të projektimit.

Në një episod tjetër ai kujton një bisedë personale me Edi Ramën në Korçë.

“Jo shumë kohë më pas, duke ecur me Edi Ramën në Korçë, ai më tha: ‘Kam edhe një problem me kёmbanoren. Nuk është mjaftueshëm e lartë.'”

Foto: Marrë nga libri “The Albanian Files”

Edhe kjo nuk paraqitet si një mbledhje institucionale apo një procedurë administrative. Arkitekti përshkruan vendimmarrjen si një bisedë gjatë një shëtitjeje në qytet, fakt që do ngrinte në ajër, bie fjala, helikopterët e policisë gjermane.

Në një tjetër faqe, arkitekti shprehet se humbja e konkurseve në Tiranë ishte bërë pothuajse zakon për studion e tij, por shton se edhe arkitektët që nuk fitonin konkurset përfundonin duke marrë më pas projekte të rëndësishme private në Shqipëri.

Në të gjithë librin, jo vetёm nё rrёfimin prej tre faqesh tё Bolles+Wilson, krijohet përshtypja e një komuniteti të vogël arkitektësh ndërkombëtarë që lëviznin vazhdimisht mes konkurseve publike, investitorëve privatë dhe kontakteve të drejtpërdrejta me drejtuesit politikë të vendit.

Kur vetë arkitektët tregojnë se investitorët u dërgoheshin nga kryebashkiaku i atёhershёm i Tiranës, (nga viti 2013 Kryeministёr i Shqipërisë), kjo na tregon mbi faktin se, projektet diskutoheshin gjatë shëtitjeve në qytet dhe se marrëdhëniet ndërpersonale ishin pjesë e një procesi rutinë profesional.

Po interesi publik? Sa rol kishin procedurat ligjore formale në zhvillimin urban të Shqipërisë?

Kujdes! “The Albanian Files” nuk është një aktakuzë. Është një libër. Por ndonjëherë librat tregojnë më shumë sesa dosjet dhe hetimet e koklavitura penale. Nё kёtё rast, autorët janë vetë “hetuesit” dhe po vetë protagonistët e historisë ndaj dhe çdo fjali merr një peshë krejt tjetër.

Ky botim meriton të lexohet me kujdes, jo vetëm nga arkitektët, por edhe nga gazetarët investigativë, studiuesit e urbanistikës dhe institucionet që kanë për detyrë të verifikojnë mënyrën se si janë zhvilluar projektet publike gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri.

Në mbi shtatëqind faqet e tij ka shumë më tepër sesa vizatime dhe makete. Ka emra, episode, marrëdhënie dhe rrëfime që, të marra së bashku, ndërtojnë një kronikë historiko-juridike të transformimit urban të Shqipërisë dhe, tё asaj ҫfarё fshihet nga pas…Aty mund të gjenden prova të dosjeve të “Veliajt”, “AKSHI”-t dhe “Ballukut”, bashkë, por kësaj here me një emër të ri në kapakun e dosjes së re.

Mё poshtё pёrkthyer nё shqip nga redaksia rrёfimi i arkitektit Peter Wilson nё botimin The Albanian Files:

AGJENCIA RECIPROKE NË SHQIPËRI

Më konsiderojnë arkitektin e parë të huaj që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri. Në fakt, BOLLES+WILSON ishte një nga tre ekipet e ftuara në konkursin e parë ndërkombëtar. Kryebashkiaku Edi Rama kishte nevojë për një model urban për aksin qendror të qytetit, të cilin Ismail Kadare e kishte përshkruar më herët si një “bulevard pa qytet”.

Ekipi francez (Architecture Studio) fitoi konkursin. Propozimi i tyre formal, mbresëlënës, me rreshta kullash paralele me bulevardin, më vonë u shkrinë për shkak të forcave të tregut dhe nevojave të planifikimit, duke marrë një formë të ngjashme me grupimet e kullave të larta që ne kishim propozuar. Ekipi i tretë, Mecanoo, u shfaq sërish në seminarin e planifikimit që Edi Rama organizoi pasi u bë Kryeministër.

Cilat ishin përshtypjet tona të para për Tiranën? Rrugë pothuajse pa dyqane, mungesë mallrash të importit për të furnizuar një farmaci apo një dyqan këpucësh; tezgat e rrugës shisnin sende të ricikluara – pjata, veshje, CD, si edhe çanta dhe çanta shpine (të domosdoshme për ata që planifikonin të largoheshin drejt Italisë). Ky riciklim i plotë, në mënyrë ironike, ishte pikërisht ajo që sot vendet tona të pasura, politikisht korrekte, do ta quanin një “ekonomi të qëndrueshme”.

Po aq të veçanta ishin edhe blloqet urbane me hyrje vetëm nga perimetri dhe pa rrugë të brendshme. Gjatë komunizmit në Tiranë kishte vetëm rreth njëqind makina (për funksionarët e partisë). Sot trafiku është një problem madhor dhe morfologjia e dikurshme, të cilën ne e skicuam atëherë si një model konfeti, është kthyer në ambicien anti-makinë të qyteteve si Parisi, Barcelona apo Hamburgu.

Në fillim të binte në sy se një numër i madh makinash ishin Mercedes të vjetër, teknologji analoge e besueshme, mjaftueshëm e fortë për rrugët shqiptare plot me gropa. Ato mund të ishin vjedhur në Gjermani, por sido që të ishte, njësoj si makinat Pontiac të viteve 1950 në Havanë, ishin “të përshtatshme për qëllimin”. Një herë, duke na çuar për katër orë për të fituar konkursin e planit rregullues të Korçës në vitin 2009, makina u ngjit me vështirësi në malet madhështore shqiptare dhe ne arritëm në përfundimin se ajo mund të bënte ose ngjitjen, ose të na freskonte me kondicioner – por jo të dyja njëkohësisht.

Në atë kohë, Sheshi Skënderbej ishte një det trafiku, autobusësh të parkuar dhe burrash të moshuar me kapele e pallto dimri, të mbledhur për të diskutuar ndryshimet e shpejta që po kalonte vendi i tyre. Një flamur i madh i kuq shqiptar valëvitej pranë monumentit prej bronzi të Skënderbeut mbi kalë. Sot ai është bërë një element anësor i rikonceptimit elegant të sheshit në vitin 2017. Në vitin 2005, për konkursin e tretë francez për kullën, ne paraqitëm një panoramë të gjallërisë së trafikut të Sheshit Skënderbej në një natë të nxehtë vere, me kullën tonë të propozuar Xhubleta që shfaqej në sfond. Archea fitoi atë konkurs, megjithëse fasada e saj e gjelbër dhe delikate mungoi për vite me radhë. U hamendësua se klientit i kishin mbaruar fondet, gjë që mund të shpjegojë edhe pse konkurrentët e tjerë nuk morën kurrë honorarin që u ishte premtuar.

Humbja e konkurseve në Tiranë është bërë një zakon; në fakt, BOLLES+WILSON nuk ka fituar asnjëherë një të tillë. Ne e quajmë këtë “të mësuar përmes humbjes”. Është një përvojë poshtëruese, sidomos kur juritë transmetohen drejtpërdrejt në televizionin shqiptar. Disa nga humbësit, si Valerio Olgiati, të cilin unë e mbështeta si anëtar jurie, u angazhuan menjëherë nga investitorët. Sot ai e mohon ndërtesën që rezultoi prej atij projekti, pranë Liqenit të Tiranës; betoni i saj është lyer dhe nuk ka më atë cilësinë e rafinuar zvicerane.

Dr. h.c. Peter Wilson

Münster, dhjetor 2024

TË MËSUARIT PËRMES HUMBJES

Pasi dështuam në “konkursin për aksin”, u kthyem në zyrën tonë. Në një libër me kartolina të vjetra të Tiranës, Edi Rama kishte shkruar: “Cilido qoftë rezultati i konkursit, jeni gjithmonë të mirëpritur të qëndroni dhe të punoni në Tiranë.” Dhe, besnik fjalës së tij, nuk kaloi shumë kohë para se kryebashkiaku të na dërgonte në zyrë një investitor shqiptar. Një kullë që ishte në ndërtim nuk i kishte përmbushur pritshmëritë e kryebashkiakut dhe ne u thirrëm për të rikonceptuar fasadën e saj. Me zhvillimin e projektit tonë, u shtuan edhe disa kate të tjera me konsola të guximshme. Megjithatë, për shkak se në kantier nuk kishte vinça (betoni transportohej në kurrizin e punëtorëve, në stil piramidal), u detyruam ta thjeshtonim formën e ndërtesës mbi katin e tetë. Nën atë nivel, ne legjitimuam teprimet dekonstruktiviste përmes kutive të xhamta dhe ekraneve monitoruese. Kjo ishte Coin Tower, e njohur më parë si Polychromink (titulli ynë i punës).

Përpara mbërritjes sonë, Edi Rama, artist me formim, kishte përdorur fondet e ndihmës ndërkombëtare për të shpërndarë vizatimet e tij shumëngjyrëshe mbi fasadat gri të banesave socialiste. Ishte një strategji e shkëlqyer që e shndërroi pamjen e qytetit në një çështje publike. Banka Botërore reagoi duke deklaruar: “Ne financojmë vetëm fasada të bardha ose gri”, ndërsa kryebashkiaku, gjatë një darke në restorantin e tij të preferuar, i është përgjigjur se ata mund ta “hiqnin qafe Bankën Botërore”. Pas rënies së komunizmit, parqet publike dhe brigjet e Lanës ishin mbushur me ndërtime të paligjshme (informale), disa prej tyre deri në pesë kate. Kryebashkiaku i shembi të gjitha, duke ia kthyer qytetit hapësirat publike. Për këtë arsye u shndërrua në një figurë kombëtare dhe, në një moment, u shpall edhe “Kryebashkiaku Botëror i Vitit”.

Në atë kohë, rreth Tiranës ishte krijuar një brez banesash informale (të ndërtuara nga shqiptarë të ardhur nga veriu). Shumë prej tyre ishin lyer me ngjyra të forta, me shpresën se kryebashkiaku nuk do t’i prishte. Një pjesë e madhe e këtij urbanizimi spontan është legalizuar më pas me rrugë dhe infrastrukturë. Shumë nga banorët e rinj, duke qenë se vinin nga zonat rurale, mbollën edhe pemë frutore.

Të frymëzuar nga ajo që kishim parë në Tiranë, në atë kohë i shkrova një letër të hapur revistës londineze Blueprint, ku shkruaja: “Nëse ajo që kërkoni është ngjyra, harroni Acapulcon – vendi është Tirana…”

Duke ndjekur shembullin e kryebashkiakut, Kulla jonë Polychromink u mbështoll me panele diellore shumëngjyrëshe në formë vijash ylberi. Fatkeqësisht, për arsye kursimi në minutën e fundit, u hoq çdo panel i dytë. Sot, për të parë efektin që ishte synuar fillimisht, duhet të shtrihesh në trotuarin pranë bazës së kullës. Që në fillim ishte e qartë se të punoje në Tiranë kërkonte një mënyrë tjetër veprimi; ndonjëherë kjo nënkuptonte edhe kontribut në programin e kryebashkiakut për fasadat e lyera.

Një nga projektet e mia, i quajtur “Optimistic Vectors”, projektonte shigjeta përgjatë fasadës, nga e majta në të djathtë. The New York Times e botoi atë në një reportazh për programin e Edit dhe sot në Tiranë thuhet se ai i tregon vizitorëve se nga duhet të dalin nga qyteti.

Një tjetër projekt, të cilin e quajtëm “Virtual Air Conditioners”, u frymëzua nga ADN-ja urbane e Tiranës – çdo ndërtesë, e re apo e vjetër, është e mbuluar me antena satelitore, kondicionerë dhe mbyllje ballkonesh. Fotografitë që morëm ishin të mbushura me këto kuti të vogla, si sy ciklopësh; grafika jonë e fasadës thjesht përcaktonte vendet ku mund të vendoseshin më shumë kondicionerë. Vijat e kuqe dhe portokalli unifikonin vëllimin e ndërtesës, ndërsa mungesa e brezit qendror krijonte një kontrast midis formës së lirë arkitekturore dhe detajeve tematike. Projekti fitoi menjëherë status ikonik në Tiranë – të paktën deri sa dielli i fortë shqiptar ia zbehu ngjyrat. Tashmë, kur kryebashkiaku i Korçës kërkon koncepte ngjyrash për banesat socialiste, ne këmbëngulim në përdorimin e bojërave Keim, të cilat kanë qëndrueshmëri afatgjatë.

AKUPUNKTURA E KORÇËS

Faza e mentorimit mori fund me porosinë tonë të parë për një ndërtesë krejtësisht të re, të cilën e quajtëm “Rationalist Apartments”. Ajo ndodhet në rreshtin e dytë pas Akademisё italiane tё Arteve, ndërtuar në vitin 1930. Edhe këtu procesi i ndërtimit ishte shumë më i hapur sesa procedurat tepër të burokratizuara evropiane. Në një moment, Fatmir Bektashi, një investitor i njohur për mbjelljen e bimësisë përreth ndërtesave të tij (në rastin tonë bëhej fjalë për pemë ulliri të mbjella përgjatë rrugës), na kërkoi të përfshinim një sasi të madhe tjegullash të dëmtuara çatie, të cilat i kishte siguruar me një çmim shumë të ulët. Duke menduar në çast, ne i përdorëm ato si bazament të ndërtesës, të vendosura horizontalisht me fuga të trasha llaçi, në stilin e muraturës së lashtë romake. Rezultati, jashtëzakonisht i prekshëm dhe me një efekt të fortë material, na dha shumë besim për mundësitë e ndërtimit në Shqipëri, të cilat në Evropë do të ishin thjesht të papërballueshme ekonomikisht. Për këtë projekt, investitori solli një vinç nga Gjermania.

Mënyra se si zhvillohej aktiviteti ynë në Shqipëri ndryshoi me fitoren, në vitin 2009, të konkursit ndërkombëtar për hartimin e planit rregullues të qendrës së Korçës. Në atë kohë, kreditë dhe huatë ndërkombëtare po transformonin peizazhin e ndërtimit në Shqipëri (edhe pse këto kredi e lidhin një vend për një kohë të gjatë me një ekonomi neoliberale globale, shpesh me pasoja të dëmshme). Në Korçë, fondet e ndihmës kishin financuar tashmë rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrimin me kalldrëm të ri të qendrës historike. Pas kësaj, kryebashkiaku Niko Peleshi shprehte shqetësimin se banorët që ktheheshin nga Greqia apo Shtetet e Bashkuara shpesh prishnin vilat e tyre familjare për të ndërtuar pallate tetëkatëshe. Plani ynë synonte të frenonte këtë kërcënim ndaj shkallës delikate të vilave prej guri të shekullit XIX. Propozimi ynë vendoste në qendër një simbiozë, një ndërthurje të ndërhyrjeve të reja brenda morfologjisë historike urbane. Gjithashtu, larguam trafikun nga Bulevardi qendror Shën Gjergji, në njërin skaj të të cilit, pas rënies së komunizmit, ishte ngritur një katedrale ortodokse. Në skajin tjetër vendosëm një kambanore të quajtur “Red Bar in the Sky”.

Kur, në Parlamentin shqiptar, opozita e Partisë Demokratike (ish-komunistët) akuzoi Partinë Socialiste të Edi Ramës se po shkatërronte Korçën me këtë kullë të hollë, Kryeministri iu përgjigj me batutën: “Ky është mendimi i parë estetik që kam dëgjuar ndonjëherë nga partia juaj.” Jo shumë kohë më pas, duke ecur në Korçë, ai më tha: “Edhe unë kam një problem me kambanoren – nuk është mjaftueshëm e lartë.” Politika në Shqipëri është thellësisht përçarëse. Këtë e mësuam gjatë një projekti në Korçë, ku inxhinieri ynë i strukturës (mbështetës i Partisë Demokratike) u arratis me honorarin e arkitektëve, pasi ne, sipas tij, ishim agjentë të socialistëve dhe nuk duhej të paguheshim.

© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Postimi i mëparshëm

Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

  • Më të fundit
The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

27 Qershor, 2026
Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

26 Qershor, 2026
Nga memet në protesta masive: Si një “Parti Buburrecash” po trondit qeverinë indiane

Nga memet në protesta masive: Si një “Parti Buburrecash” po trondit qeverinë indiane

26 Qershor, 2026
NATO para samitit të Ankarasë: 32 shtete, 3.3 milionë ushtarë dhe 1.6 trilionë dollarë buxhet mbrojtjeje

NATO para samitit të Ankarasë: 32 shtete, 3.3 milionë ushtarë dhe 1.6 trilionë dollarë buxhet mbrojtjeje

26 Qershor, 2026

Postimet e fundit

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

27 Qershor, 2026
Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

26 Qershor, 2026
Nga memet në protesta masive: Si një “Parti Buburrecash” po trondit qeverinë indiane

Nga memet në protesta masive: Si një “Parti Buburrecash” po trondit qeverinë indiane

26 Qershor, 2026
NATO para samitit të Ankarasë: 32 shtete, 3.3 milionë ushtarë dhe 1.6 trilionë dollarë buxhet mbrojtjeje

NATO para samitit të Ankarasë: 32 shtete, 3.3 milionë ushtarë dhe 1.6 trilionë dollarë buxhet mbrojtjeje

26 Qershor, 2026

Na ndiqni në

KontrasT.al

KontrasT.al - Është një platformë mediatike që informon dhe argëton ndjekësit në 24/7. Lajmi, ngjarja dhe opinioni vijnë për lexuesit me ngjyra më të qarta - në tablonë e realitetit dhe kontraditave të tij.

Shfleto sipas kategorive

  • Aktualitet
  • Argëtim
  • Bota
  • Destinacione
  • Drejtësi-Ligj
  • Ekonomi-Biznes
  • Foto-Lajm
  • Horoskopi
  • Investigim
  • Kinema
  • Kosova
  • Kronika e zezë
  • Ku të shkojmë
  • Kuriozitete
  • Kursi këmbimit
  • Lajme
  • Lajme rozë
  • Letërsi
  • Misc
  • Modë
  • Moti
  • Muzikë
  • Opinion
  • Politikë
  • Portret
  • Psikologji
  • Rubrika artistike
  • Satirë
  • Shënim
  • Shkencë-Teknologji
  • Showbiz
  • Shqipëria
  • Sport
  • Stil jetese
  • Të tjera
  • Teatër
  • Video

Lajmet më të fundit

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

The Albanian Files/ Hakmarrja arkitekturore e godinave tё heshtura: Kur pretenca ngatёrrohet me parathёnien e njё libri

27 Qershor, 2026
Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

Bilanci tragjik në Venezuelë shkon në 589 viktima, mijëra të plagosur pas dy tërmeteve shkatërruese

26 Qershor, 2026
  • Rreth nesh
  • Reklamo
  • Politikat e privatësisë
  • Na kontaktoni

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.