Një studim i fundit po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor, pasi sugjeron se disa profesione mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit nga sëmundja e Alzheimerit. Sipas kërkimeve, taksistët dhe shoferët e ambulancave kanë një rrezik dukshëm më të ulët për t`u prekur nga Alzheimeri, krahasuar me pothuajse çdo profesion tjetër.
Studimi, i publikuar në vitin 2024 dhe i bazuar në analizën e gati 9 milionë certifikatave të vdekjes në SHBA, zbuloi se vetëm rreth 1 në 100 taksistë ose shoferë ambulance kishte vdekur nga Alzheimeri, ndërsa në popullatën e përgjithshme raporti ishte rreth 1 në 60 persona.
Sekreti nuk është drejtimi i makinës, por orientimi
Sipas studiuesve, përfitimi nuk lidhet me drejtimin e automjetit në vetvete, por me nevojën për orientim të vazhdueshëm në hapësirë.
Ndryshe nga shoferët e autobusëve apo pilotët, të cilët ndjekin itinerare fikse, taksistët dhe shoferët e ambulancave duhet të krijojnë vazhdimisht “harta mendore”, të gjejnë rrugën më të mirë, të përshtaten me trafikun dhe të marrin vendime në kohë reale.
Ky aktivitet mendor stimulon hipokampusin, rajonin e trurit përgjegjës për kujtesën dhe orientimin hapësinor, i cili është gjithashtu ndër të parët që dëmtohet nga sëmundja e Alzheimerit.
Studimi i famshëm mbi taksistët londinezë
Hipoteza mbështetet edhe nga një studim klasik i vitit 2000 mbi taksistët e Londrës.
Për të marrë licencën, ata duhet të mësojnë përmendësh mbi 25 mijë rrugë dhe mijëra destinacione, një proces që zgjat deri në katër vjet dhe njihet si “The Knowledge“.
Skanimet e trurit treguan se taksistët kishin më shumë lëndë gri në pjesën e pasme të hipokampusit, krahasuar me njerëzit e tjerë. Madje, sa më shumë vite përvojë kishte një shofer, aq më i zhvilluar ishte ky rajon i trurit.
Kjo sugjeron se ndryshimi nuk është i lindur, por krijohet përmes ushtrimit të vazhdueshëm të aftësive të orientimit.
Edhe mjedisi ku jetojmë mund të ndikojë
Studime të tjera kanë treguar se edhe kompleksiteti i qytetit ku jeton një person mund të ketë ndikim në shëndetin e trurit.
Banorët e zonave me shumë kryqëzime, rrugë alternative, pika orientimi dhe lagje të ndërlikuara duket se zhvillojnë më shumë aftësitë e orientimit dhe kanë një rrezik më të ulët për Alzheimer, krahasuar me ata që jetojnë në mjedise më të thjeshta.
A mund të stërvitet truri?
Shkencëtarët besojnë se po.
Aftësitë e orientimit hapësinor mund të zhvillohen përmes ushtrimeve dhe aktiviteteve që kërkojnë krijimin e hartave mendore, si navigimi pa u mbështetur gjithmonë te GPS, leximi i hartave, puna me sisteme gjeografike (GIS) apo profesione që kërkojnë analizë të vazhdueshme të hapësirës.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi tregon një lidhje statistikore, jo një provë se këto profesione e parandalojnë drejtpërdrejt Alzheimerin. Nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar nëse ushtrimi i vazhdueshëm i orientimit hapësinor mund të shërbejë si një mënyrë efektive për të mbrojtur trurin nga kjo sëmundje neurodegjenerative.






