Tokio po përjeton një periudhë të pazakontë reshjesh, me 35 ditë rresht me shi, seria më e gjatë e regjistruar në kryeqytetin japonez që prej fillimit të matjeve në vitin 1886. Moti i zymtë po ndikon jo vetëm në jetën e përditshme të miliona banorëve, por edhe në shëndetin e tyre, turizëm dhe çmimet e produkteve ushqimore.
Nga fillimi i shtatorit deri të hënën, në qendër të Tokios kanë rënë 629 milimetra shi, pothuajse tri herë më shumë se niveli normal. Gjatë së njëjtës periudhë qyteti ka regjistruar vetëm 45.8 orë me diell, niveli i dytë më i ulët i regjistruar, ndërsa për 14 ditë dielli nuk është shfaqur fare.
Ekspertët e lidhin situatën me kombinimin e fenomenit El Niño dhe ndryshimeve afatgjata klimatike. Agjencia Meteorologjike e Japonisë thotë se frontet e reshjeve të vjeshtës po qëndrojnë më gjatë se zakonisht, ndërsa ngrohja e Paqësorit nga El Niño mund të intensifikojë modele ekstreme të motit. Megjithatë, meteorologët theksojnë se është e vështirë që seria konkrete e reshjeve në Tokio t’i atribuohet drejtpërdrejt ndryshimeve klimatike.
Shiu i vazhdueshëm po jep pasoja edhe në ekonomi. Dëmtimi i prodhimeve bujqësore pranë Tokios ka rritur veçanërisht çmimet e perimeve me gjethe. Në një supermarket, një kokë sallatë raportohet se ka arritur në 450 jen, më shumë se dyfishi i çmimit të mëparshëm.
Moti po ndikon edhe në gjendjen fizike dhe emocionale të banorëve. Mjekët paralajmërojnë se kombinimi i reshjeve të zgjatura, presionit të ulët atmosferik dhe lagështisë së lartë mund të shoqërohet me dhimbje koke, marramendje dhe shqetësime të tjera. Në rrjetet sociale është përhapur shprehja “lodhje nga shiu”, ndërsa banorët ankohen për humor të rënduar dhe për probleme të zakonshme, deri te pamundësia për të tharë rrobat.
Situata mund të vazhdojë, pasi autoritetet meteorologjike po ndjekin edhe një tjetër tajfun që lëviz drejt verilindjes dhe mund të prekë rajonin Kanto, ku ndodhet Tokio. Në fillim të shtatorit, tajfuni Dujuan shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje dheu në prefekturën fqinje Chiba, ku humbën jetën tetë persona dhe u shkatërruan dhjetëra banesa.
Rekordi i mëparshëm i Tokios ishte 33 ditë rresht me reshje, nga 27 qershori deri më 29 korrik 2019. Këtë vit, kryeqyteti japonez nuk ka regjistruar asnjë ditë plotësisht pa shi që prej 27 gushtit.





