Tri ndeshje të tjera mbyllën fazën e grupeve të Botërorit 2026, me Turqinë që arriti fitoren e saj të parë në turne, ndërsa Japonia dhe Australia siguruan kualifikimin për në fazën me eliminim direkt.
Në Los Anxhelos, Turqia shkaktoi surprizën e mbrëmjes duke mposhtur Shtetet e Bashkuara me rezultatin spektakolar 3-2, falë një goli të shënuar në minutën e tetë shtesë.
Amerikanët kaluan të parët në avantazh që në minutën e tretë me Auston Trusty, por Turqia reagoi shpejt. Arda Güler barazoi në minutën e 10-të, duke realizuar golin e parë të Turqisë në një Kampionat Botëror pas plot 24 vitesh, ndërsa Orkun Kökçü përmbysi rezultatin në minutën e 31-të.
Në pjesën e dytë, SHBA riktheu baraspeshën me Sebastian Berhalter në minutën e 49-të, por kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, Kaan Ayhan shënoi golin e fitores në minutën 90+8.
Pavarësisht humbjes, SHBA e mbylli Grupin D në vendin e parë dhe siguroi kualifikimin për në raundin e 32 skuadrave, ku do të përballet me Bosnje-Hercegovinën. Turqia, megjithëse fitoi ndeshjen e fundit, e mbylli grupin në vendin e fundit dhe u eliminua nga turneu.
Ndërkohë, Japonia barazoi 1-1 me Suedinë në Dallas dhe siguroi kalimin në fazën tjetër. Daizen Maeda kaloi japonezët në avantazh në minutën e 56-të, por Anthony Elanga barazoi vetëm gjashtë minuta më vonë për suedezët. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Japonia e mbylli Grupin F në vendin e dytë dhe në raundin e 32 skuadrave do të përballet me Brazilin. Suedia përfundoi e treta dhe, sipas renditjes aktuale, ka shumë gjasa të avancojë si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta, ku pritet të ndeshet me Francën.
Në ndeshjen tjetër, Australia siguroi kualifikimin pas barazimit pa gola ndaj Paraguait në San Francisko. Australianët dominuan pjesën më të madhe të lojës, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës përballë mbrojtjes së organizuar paraguajane.
Me këtë rezultat, Australia përfundoi e dyta në Grupin D dhe në raundin tjetër do të sfidojë Iranin. Paraguai, që e mbylli grupin në vendin e tretë, do të presë përfundimin e ndeshjeve të tjera për të mësuar nëse do të kualifikohet si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta. Nëse avancon, kundërshtari i saj pritet të jetë Gjermania.







