Kur flitet për historinë e inteligjencës artificiale, emrat që përmenden më shpesh janë Alan Turing, John von Neumann apo John McCarthy. Por, sipas një analize të France 24, një tjetër shkencëtar ka luajtur një rol vendimtar në lindjen e AI moderne, edhe pse emri i tij është lënë shpesh në hije: Norbert Wiener, themeluesi i kibernetikës.
Shumë studiues vlerësojnë se idetë e Wiener-it hodhën themelet teorike mbi të cilat u zhvilluan më vonë inteligjenca artificiale, rrjetet nervore dhe, në fund, modelet gjuhësore si ChatGPT apo Claude.
Një gjeni që në fëmijëri
Norbert Wiener lindi në vitin 1894 në Missouri të SHBA-së, në një familje emigrantësh hebrenj nga Europa Lindore. Ai ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm: mësoi të lexonte para moshës katërvjeçare, mbaroi shkollën e mesme në moshën 11-vjeçare, mori diplomën universitare për matematikë në moshën 14-vjeçare dhe doktoraturën në Harvard vetëm 18 vjeç.
Pak vite më vonë u bë një nga profesorët më të rinj të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT).
Kibernetika, shkenca që ndryshoi gjithçka
Pas Luftës së Dytë Botërore, Wiener krijoi një disiplinë të re shkencore të quajtur kibernetikë, e cila studion mënyrën se si njerëzit, kafshët dhe makinat marrin, përpunojnë dhe përdorin informacionin për të kontrolluar sjelljen e tyre.
Ideja e tij ishte revolucionare për kohën: truri i njeriut dhe makinat, pavarësisht dallimeve, mund të analizohen sipas të njëjtave parime të komunikimit dhe kontrollit të informacionit.
Në vitin 1948 ai botoi librin “Cybernetics or Control and Communication in the Animal and the Machine”, një vepër që konsiderohet sot ndër gurët themelorë të inteligjencës artificiale.
Hapat e parë drejt “machine learning”
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Wiener punoi për krijimin e sistemeve kundërajrore që mund të përshtateshin në kohë reale me lëvizjen e avionëve dhe raketave armike.
Objektivi ishte që sistemi të mësonte nga gabimet dhe të përmirësonte vazhdimisht vendimmarrjen.
Sot kjo do të quhej machine learning, një nga shtyllat kryesore të inteligjencës artificiale moderne.
Frymëzoi brezin që ndërtoi AI-në
Edhe pse emri i tij nuk lidhet drejtpërdrejt me krijimin e kompjuterëve, ndikimi i Wiener ishte i jashtëzakonshëm.
Në konferencat e famshme Macy mbi kibernetikën morën pjesë figura që më vonë do të ndryshonin historinë e teknologjisë, si John von Neumann, Claude Shannon dhe J.C.R. Licklider, ky i fundit një nga arkitektët e zhvillimit të internetit.
Në MIT, Wiener udhëhoqi edhe punën e Walter Pitts, një prej pionierëve që hodhi bazat e rrjeteve të para nervore artificiale – teknologjia mbi të cilën mbështeten sot ChatGPT dhe sistemet moderne të AI-së.
Shkencëtari që refuzoi bombën atomike
Norbert Wiener nuk ishte vetëm matematicien. Ai ishte edhe një nga shkencëtarët e parë që ngriti dilema morale mbi përdorimin e teknologjisë.
Ai refuzoi të merrte pjesë në Projektin Manhattan, që çoi në ndërtimin e bombës atomike.
Pas bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, ai publikoi një letër të hapur ku deklaronte se nuk do të botonte më kërkime që mund të përdoreshin për krijimin e armëve të shkatërrimit në masë. Qëndrimi i tij u mbështet edhe nga Albert Einstein.
Paralajmërimi që tingëllon aktual edhe sot
Por ndoshta vizioni më profetik i Wiener lidhej me ndikimin e automatizimit në shoqëri.
Që në fund të viteve 1940 ai paralajmëroi se makinat mund të krijonin një botë ku njerëzit ose do të çliroheshin nga puna e rëndë, ose do të përballeshin me papunësi masive dhe trazira sociale, nëse zhvillimi teknologjik nuk shoqërohej me politika të drejta ekonomike dhe sociale.
Sipas tij, rreziku nuk vinte nga makinat, por nga mënyra se si shoqëria do t’i përdorte ato.
Ai argumentonte se robotët do të mund të zëvendësonin njerëzit vetëm nëse vetë njerëzit do të trajtoheshin si robotë, duke humbur atë që i dallon: krijimtarinë, mendimin kritik dhe humanizmin.
Një vizionar që po rizbulohet
Sot, kur inteligjenca artificiale po ndryshon tregun e punës dhe shumë kompani po justifikojnë shkurtime të vendeve të punës me përparimin e AI-së, idetë e Norbert Wiener po marrin një rëndësi të re.
Edhe pse termi “kibernetikë” nuk përdoret më aq shpesh, shumë ekspertë besojnë se pa vizionin e Wiener-it nuk do të kishte ekzistuar inteligjenca artificiale siç e njohim sot. Për këtë arsye, ai po konsiderohet gjithnjë e më shumë si “babai i harruar” i AI-së, shkencëtari që jo vetëm ndihmoi në lindjen e saj, por edhe paralajmëroi, dekada më parë, sfidat që ajo do t’i sillte njerëzimit.
Burimi: France 24





