Pothuajse gjysma e profesionistëve të ligjit thonë se mirëqenia e tyre e përgjithshme është përkeqësuar që nga fillimi i vitit 2025, ndërsa presioni i punës po shoqërohet me probleme me gjumin, ankth, përkeqësim të humorit dhe vështirësi në përqendrim.
Të dhënat vijnë nga një sondazh i ri i Bloomberg Law, ku morën pjesë më shumë se 1,100 profesionistë të sektorit ligjor, kryesisht avokatë të niveleve të ndryshme që punojnë në firma ligjore.
Më shumë se gjysma e të anketuarve raportuan çrregullime të gjumit, ankth, përkeqësim të humorit dhe rënie të aftësisë për t’u përqendruar, të cilat i lidhën me probleme dhe presione të punës. Ata që deklaruan se mirëqenia e tyre ishte përkeqësuar ndjeshëm që prej fillimit të vitit 2025 raportuan gjithashtu nivele më të larta të pothuajse të gjitha problemeve të matura, përfshirë ankthin dhe depresionin.
Sondazhi evidentoi edhe një diferencë mes burrave dhe grave. Megjithëse të dyja gjinitë kishin pothuajse të njëjtën mundësi për të pasur përgjegjësi kujdestarie në familje, gratë kishin më shumë gjasa të kishin marrë vendime për karrierën që në rrethana të tjera nuk do t’i kishin marrë, pikërisht për shkak të këtyre përgjegjësive. Ato gjithashtu rezultuan më të angazhuara në kujdesin ndaj prindërve.
Edhe pse shumë punëdhënës ofrojnë programe mbështetëse, gjysma e të anketuarve deklaruan se nuk i përdorin ato. Ndryshe paraqitet situata me programet profesionale: tre në katër avokatë që kishin marrë pjesë në to thanë se i kishin konsideruar të vlefshme.
Rezultatet nxjerrin në pah një problem që shkon përtej ngarkesës së zakonshme të profesionit juridik, duke treguar se presioni i punës po ndikon drejtpërdrejt në gjumin, gjendjen emocionale dhe përqendrimin e një pjese të konsiderueshme të profesionistëve të ligjit.
Burimi: Bloomberg






